Këshilli Bashkiak i Divjakës, është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar draftin e dërguar nga Kuvendi në kuadër të projekt-reformës administrative territoriale, e cila parashikon bashkimin e Bashkisë Divjakë me atë të Lushnjes.
Mbledhjen e ka hapur kryetarja e Këshillit Bashkiak, Liri Biti, e cila prezantoi rendin e ditës. Në takim morën pjesë 20 nga 31 këshilltarët bashkiakë.
Të lidhura
None found
Këshilltarët e djathtë kërkuan që në rendin e ditës të përfshihej edhe një pikë për njohjen me korrespondencën e Bashkisë Divjakë, me komisionin hartues të reformës administrative territoriale.
Kërkesa u miratua me 20 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në vijim, këshilltarët vendosën unanimisht që komisioni përgjegjës për zhvillimin e dëgjesave publike në kuadër të reformës të përbëhet nga “7 anëtarë”, katër përfaqësues të bashkisë dhe tre këshilltarë të Këshillit Bashkiak.
Dëgjesat publike do të zhvillohen në pesë njësitë administrative të Divjakës: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradishtë dhe Remas. Përfundimet e tyre do t’i përcillen më pas Kuvendit.
Gjatë mbledhjes, këshilltarët kërkuan gjithashtu shpjegime nga kryetari i bashkisë, Josif Gorrea, lidhur me qëndrimin e mbajtur prej tij në mbledhjen e zhvilluar në Kuç.
Pavarësisht përkatësive politike, këshilltarët shprehën qëndrimin e tyre në favor të “ruajtjes së Divjakës si bashki më vete”, duke kundërshtuar përfshirjen e saj nën administrimin e Bashkisë Lushnjë.
Me miratimin e strukturës së komisionit, Këshilli Bashkiak i Divjakës i ka hapur rrugë zhvillimit të dëgjesave publike, të cilat pritet të zhvillohen gjatë dy muajve të ardhshëm dhe të shërbejnë si qëndrimi zyrtar i komunitetit përpara Kuvendit.
Reforma e propozuar administrative-territoriale parashikon që Bashkia Divjakë të bashkohet me Bashkinë Lushnje.
