“KUFIRI” I SHQIPËRISË SË RE
Në Shqipëri, pothuajse çdo vendim paraqitet si reformë dhe shpesh justifikohet me pretendimin se vjen si kërkesë e Bashkimit Europian. Edhe riorganizimi i ri territorial dhe administrativ është futur në këtë logjikë të politikës së vjetër, ku debati është përqendruar te numri i bashkive dhe jo te problemi themelor.
Të lidhura
None found
Bashkimi Europian nuk ka përcaktuar as madhësinë, as numrin e bashkive që duhet të ketë Shqipëria. Kjo është një çështje e brendshme e vendit. Ajo që kërkohet nga BE-ja është forcimi i demokracisë vendore, rritja e kapaciteteve dhe sigurimi i burimeve financiare, pasi njësitë vendore kanë rol kyç në garantimin e standardeve europiane përmes shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve.
Një reformë e mirëfilltë duhet të përqendrohet te temat bazë të qeverisjes vendore, veçanërisht te demokracia dhe përfshirja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.
Pas ndarjes territoriale të vitit 2015, bashkitë u zgjeruan, ndërsa kompetencat e tyre u reduktuan. Marrëdhënia mes qendrës dhe periferisë nuk u mor në konsideratë, duke sjellë braktisjen e disa zonave të vendit. Ndërkohë, lidhja mes bashkive dhe komuniteteve u dobësua. Tirana dhe bashkitë përgjatë bregdetit janë shembuj të mënyrës se si asetet më të rëndësishme u kalojnë vendimmarrësve nga lart, ndërsa banorët marrin dijeni vetëm kur shfaqen gardhet dhe nisin punimet me betonieret.
Planifikimi urban, menaxhimi i ujësjellësve dhe kanalizimeve, trajtimi i mbetjeve, administrimi i plazheve, zonave të mbrojtura dhe funksioneve të tjera vijon të drejtohet kryesisht nga qendra. Kryetarët dhe këshillat bashkiakë shihen si zgjatime të qeverisë, në vend që të trajtohen si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët. Për këtë arsye, çështja kryesore nuk lidhet me numrin e bashkive, por me transferimin e pushtetit nga zyra e kryeministrit te të zgjedhurit vendorë.
Pesha e shpenzimeve publike të menaxhuara nga pushteti vendor në Shqipëri, krahasuar me totalin e financave publike, është dukshëm më e ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Një bashki nuk mund të vlerësohet për efektivitetin e saj kur nuk ka financa dhe kompetenca të mjaftueshme. Përpara se të rishikohen kufijtë administrativë, duhet të shqyrtohet modeli me të cilin financohet pushteti vendor.
Vendi ka nevojë për një strategji të zhvillimit vendor dhe rajonal. Pjesa dërrmuese e popullsisë dhe e veprimtarisë ekonomike është përqendruar në Tiranë dhe në zonat përreth saj. Në rastin më të mirë, pjesët e tjera të vendit mbështeten te turizmi sezonal, por nuk arrijnë të krijojnë ekonomi të qëndrueshme dhe shërbime publike që t’u mundësojnë banorëve të ndërtojnë jetën aty ku jetojnë.
Çdo ndryshim reformues duhet të mbështetet në kritere të qarta. Përse janë zgjedhur për t’u shkrirë disa bashki, ndërkohë që njësi të tjera me tipare të ngjashme nuk preken? Një proces që ndikon kaq shumë te qytetarët duhet të forcojë shtetin dhe të mbështetet në një mirëkuptim të gjerë politik e shoqëror.
Para se të nisë një tjetër riorganizim, duhet të provohet se përfitimet e tij afatgjata do të jenë më të mëdha se kostot. Gjithashtu, duhet të qartësohet se vështirësitë e sotme nuk mund të zgjidhen vetëm përmes ndryshimit të kompetencave, financimit dhe organizimit institucional, pa prekur kufijtë administrativë.
Bashkia nuk përbën thjesht një strukturë administrative. Ajo lidhet edhe me identitetin historik, kulturor dhe shoqëror të një komuniteti. Kur konsultimi me banorët mbetet formal dhe nuk zhvillohet realisht, siç dëshmojnë reagimet dhe protestat në disa zona të vendit, qytetarët ndihen të lënë mënjanë dhe e shohin reformën si një vendim të imponuar nga lart.
Vendimi që do të merret për ndarjen territoriale do të përcaktojë edhe “kufirin” e Shqipërisë së re. Ai do të tregojë nëse politika ka nxjerrë mësime nga protestat e muajve të fundit, të cilat kanë ngritur çështjen se kush i merr vendimet në emër të popullit dhe si merret vendimi.
Një ndër vendimet e para të kryeministrit të sapozgjedhur britanik ishte transferimi i pushtetit nga qeveria te bashkitë. Ky veprim ngre pyetjen nëse bëhet fjalë për një mësim të vlefshëm edhe për shqiptarët dhe nëse praktika e laburistëve mund të shërbejë si orientim për socialistët shqiptarë.
Shqipëria i ngjan një njësie administrative ku vendimmarrja është përqendruar në zyrën e kryeministrit. Çdo politikë e re duhet të synojë të kundërtën e këtij centralizimi dhe të vendosë komunitetet në qendër. Shqiptarët duhet të dëgjohen për mënyrën se si e imagjinojnë të ardhmen në vendet ku jetojnë dhe duhet t’u jepet mundësia të vendosin për të. Për ndryshime me një ndikim të tillë, referendumi duhet të jetë një mundësi për t’u marrë në konsideratë.
Demokracia vendore duhet të përbëjë një nga shtyllat kryesore të Shqipërisë së re. Nevojitet një reformë reale që ta zhvendosë pushtetin nga lart poshtë dhe nga qendra drejt periferisë, duke krijuar një politikë të zhvillimit vendor e rajonal. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët në të gjithë vendin do të ndihen të dëgjuar, të vlerësuar dhe të respektuar.
Nga; Ditmir Bushati
