Dhunoi ish-këshilltarin e Metës në kufi, flet për herë të parë polici malazez: Humba toruan, nuk zbatoi rregullat

Videoja e re e publikuar ku shihet sesi dhunohet ish-këshilltari i Ilir Metës, në sy të familjes, në doganën e Muriqanit, ka ngritur autoritetet malazeze në këmbë, duke ndaluar policin Dragan Shqekiq që ngriti dorë mbi Petraq Milon dhe kolegun e këtij të fundit, Nikola Boljeviq.

Sot, polici kufitar Dragan Shqekiq foli për incidentin e ndodhur në mes të janarit duke thënë: “humba toruan”, atë ditë për shkak të injorimit të vazhdueshëm të urdhrave që ai dhe kolegët e tij i kishin dhënë shtetasit shqiptar.

Sipas informacioneve të medias malazeze “Vijesti”, Shqekiq dhe Boljeviq, pas dëgjimit në Prokurorinë e Ulqinit, janë liruar nga burgu dhe hetimi ndaj tyre do të vijojë në gjendje të lirë.

Gjatë seancës dëgjimore në ODT Ulqin, dhjetëra kolegë të tyre u mblodhën para asaj objekti, në mbështetje të dy policëve kufitarë

Përveç prokurorisë, hetimin për këtë rast e ka iniciuar edhe Departamenti për Kontroll të Brendshëm të Punës Policore, Ministria e Punëve të Brendshme, dhe ajo procedurë është ende në vazhdim.

“Është sekuestruar video-materiali i regjistruar nga video survejimi i instaluar në pikën kufitare Sukobin-Muriqan dhe përmes bashkëpunimit policor ndërkombëtar presim një deklaratë për ngjarjen nga qytetarët e Shqipërisë. Nëse procedura e kontrollit të brendshëm vërteton fakte dhe prova të sjelljes së kundërligjshme të zyrtarëve policorë në lidhje me rastin në fjalë, do të ndërmerren masa ligjore për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë”, thuhet në MPB e Malit të Zi./albeu.com