DETAJET/ U martua me autorin që 13-vjeçe, flet nëna e 31-vjeçarit: Ai e donte shumë Sabrinën! (FOTO LAJM)

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Fier ku Elton Metaj vrau 23-vjeçaren Sabrina Bengaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zhupan të Fierit, pak orë para mesnatës, në banesën e viktimës.

E reja, nënë e një vajze 2-vjeçare ishte martuar dhe bashkëjetonte me viktimën prej moshës 13-vjeçare ndërkohë një vit më parë, autori kishte marrë peng për 5 orë familjen Bengaj ku është dashur ndërhyrja e RENEA për të shmangur tragjedinë.

Por sipas Sabire Metaj, mamaja e autorit, thotë se djali i saj e donte ish-gruan e madje fliste vazhdimisht në telefon me të pas daljes nga burgu.

E tronditur nga ngjarja, Metaj thotë se të renë e kishte si vajzën e saj, pasi me djalin, Elton Metajn, ishte lidhur që 13-vjeçe.

Sabire Metaj thotë se i biri nuk kishte dhënë shenja se do të kryente një krim të tillë, ndërsa kërkon që të kapet nga policia dhe personi që i ka dhënë armën, pasi sipas saj ata nuk kanë pasur një të tillë në banesë. E pyetur nëse do të kërkojë dënim maksimal për djalin e saj Sabire Metaj nguron që të pohojë një deklaratë të tillë, dhe thotë se drejtësinë e ka lënë në dorë të shtetit.

Flet mamaja e Elton Metajt:

Më ka bërë hatanë, unë nuk kam 40 ditë që varrosa babanë dhe vëllanë, nuk kuptohej fare që do ta bënte një gjë të tillë. Mbaroi dënimin dhe doli nga burgu. Ore ata duheshin, nuk e prisja që të ndodhte kjo, më vjen shumë keq se e rrita vetë edhe Sabrinën, mua më iku edhe djali bashkë me atë.

Është e njëjtë dhimbja edhe për mua, Sabrinën e kemi marrë 13 vjeçe, e ka shteti në dorë dënimin. Çfarë shenjash, nuk kemi kuptuar gjë, ata flisnin me njëri tjetrin akoma, nuk di që të kenë pasur konflikte. Ishin takuar pasi djali doli nga burgu, se i nxori vajzën që ta takonte.

Për çfarë e dua më jetën unë? Më vjen shumë keq, vrasjen e morëm vesh nga policia, na erdhën në shtëpi dhe na thanë. Pas ngjarjes djali telefonoi vetë policinë, mori edhe të atin dhe i tha se donte që të vetëvritej. Këtu në këtë derë nuk ka gjetur armë, ta gjejnë se kush ia ka dhënë armën. Armët sheshit janë se ku e ka blerë nuk e di, të shkojë në burg dhe personi që ia ka dhënë. Ai e donte me kokë të shoqen, flisnin dhe në telefon.

Njoftimi i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 22:50, në fshatin Zhupan, shtetasi E. M. (B)., 31 vjeç, në banesën e ish-vjehrrit, ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po punojnë për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e 31-vjeçarit.

Po kush është autori Elton Metaj?

Metaj është një shtetas i njohur për Policinë e Shtetit pasi sapo kishte dalë nga burgu ku kishte vuajtur dënimin e tij.

Burgosja e tij lidhej direkt me familjen e viktimës pasi një vit më parë kishte marrë peng familjen Benga, në 20 shtator të vitit 2020.

Në vitin 2020 , Metaj e mbajti peng për më shumë se 5 orë bashkëshorten dhe familjen e saj në shtepinë e babait të kësaj të fundit dhe u desh nderhyrja e RENEA-s dhe FNSH-së për t’i liruar.

Më herët, në 22 shtator 2020, 31 vjecari nga Peshtan Bengasi ,Elton Metaj u paraqit ne gjykaten e Fierit me akuzat “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”. /albeu.com/

 


Shtuar 11.09.2021 10:19