Deklaratat e Bardhit kundër veprimeve të efektivëve lidhur me protestën, vjen reagimi i policisë

Pas deklaratave të Gazment Bardhit se Policia e Shtetit ka terrorizuar deputetët e PD-së dhe personat që ndodheshin në seli, duke bërë kontrolle të pajustifikuara, ka ardhur edhe reagimi i policisë.

Në reagimin e uniformave blu thuhet se deklarata e Bardhit është për t’u keqardhur dhe se policia do vijojë të jetë në shërbim të qytetarëve.

Policia e Shtetit informon opinionin publik:

Me keqardhje dëgjuam deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, në lidhje me punën hetimore të Policisë që po kryhet për dokumentimin e shkatërrimit të pronës dhe akteve të dhunës të ndodhura gjatë protestës së sotme në selinë e Partisë Demokratike.

Sqarojmë opinionin publik se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje.

Policia e Shtetit do të vijojë me profesionalizëm dhe vendosmëri, veprimet ligjore, për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së sotme dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë janë në terren dhe janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë.