Fondet e parashikuara për mbrojtjen sociale, ku pjesa dërrmuese u takon pensioneve dhe ndihmës ekonomike, do të kenë një peshë më të vogël në buxhetin e shtetit për vitin 2027, edhe pse ky funksion mbetet zëri më i madh i shpenzimeve publike sipas klasifikimit qeveritar.
Të dhënat e projektbuxhetit tregojnë se pesha e mbrojtjes sociale ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore do të zbresë në 26.2% vitin e ardhshëm, nga 27.3% sa është këtë vit, duke shënuar një tkurrje prej 1.1 pikësh përqindjeje.
Të lidhura
None found
Mbrojtja sociale përfshin kryesisht shpenzimet për pensionet, ndihmën ekonomike dhe mbështetjen për grupet në nevojë. Megjithëse vijon të jetë funksioni me peshën më të madhe në buxhet, financimi i tij do të zërë një pjesë relativisht më të vogël të shpenzimeve publike.
Kjo rënie e peshës nuk do të thotë se fondet bien në vlerë absolute, por tregon se në shpërndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm mbrojtja sociale do të ketë një pjesë më të ulët në krahasim me vitin 2026.
Përkundrazi, shpenzimet për mbrojtjen dhe forcat e armatosura do të rriten nga 4.8% e totalit të shpenzimeve buxhetore në 2026 në 6.3% të totalit vitin që vjen, me një zgjerim prej 1.5 pikësh përqindjeje. Në vitin 2027, financimi i ushtrisë do të zërë një pjesë më të madhe të buxhetit, ndërkohë që pesha e shpenzimeve për funksionet sociale do të tkurret.
E njëjta tendencë vihet re edhe në dy sektorë të tjerë thelbësorë për mirëqenien e qytetarëve. Shpenzimet për shëndetësinë do të përbëjnë 8.8% të totalit në vitin 2027, nga 9.2% në vitin 2026, ndërsa ato për arsimin do të ulen nga 8% në 7.5%.
Të marra së bashku, mbrojtja sociale, shëndetësia dhe arsimi do të përfaqësojnë 42.5% të shpenzimeve publike në vitin 2027, nga 44.5% në vitin 2026, pra 2 pikë përqindjeje më pak.
Peshë më të ulët në buxhet do të kenë edhe çështjet ekonomike, të cilat zbresin nga 9.4% në 8.4%, shërbimet e përgjithshme publike nga 7.7% në 7.1%, si dhe rendi e siguria publike nga 6.3% në 5.8%.
Ndërkohë, shpenzimet e tjera të paklasifikuara do të rriten nga 21.9% në 24.5%, duke zënë pothuajse një të katërtën e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Ekspertët shprehen të shqetësuar se nënvlerësimi i vazhdueshëm i arsimit krijon probleme edhe në menaxhimin e aseteve. Për shembull, qeveria po investon në ndërtimin e hekurudhave dhe po synon të dërgojë pajisje moderne në ushtri, por në të dyja këto drejtime ka shumë mangësi në burimet njerëzore. Burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se disa pajisje në sektorin e artilerisë nuk mund të përdoren nga stafet aktuale.
Tashmë ushtria, më shumë se përgatitje fizike, kërkon inxhinierë dhe punonjës teknologjie, pasi pajisjet e reja komandohen nga software. Ndërsa synohet ndërtimi i linjave moderne hekurudhore, ka nevoja emergjente për stafe që menaxhojnë sistemet moderne, të cilat i mungojnë tërësisht vendit.
Investimet në infrastrukturë, për të cilat nuk ka aftësi menaxhuese, rrezikojnë të amortizohen nga mungesa e njohurive. Kjo vlen në të gjitha fushat. Qeveritë shqiptare gjatë gjithë periudhës së tranzicionit kanë investuar shumë më pak në arsim se Rajoni dhe BE, duke krijuar kështu një hendek arsimor midis forcës së punës dhe nevojave që ka vendi.





