Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson konfirmoi sot se së shpejti do të vaksinohet kundër Covid-19 me dozat e vaksinës “AstraZeneca”. Disa ditë më parë vetë Johnson dhe qeveria e tij siguruan qytetarët se vaksina nuk paraqet ndonjë rrezik për shëndetin.
Pasi i dhanë një dozë të parë vaksine gati 25 milion njerëzve, autoritetet njoftuan të mërkurën se do ta shtrinin vaksinimin tek qytetarët mbi 50 vjeç. Këtu hyn edhe lideri 56-vjeçar britanik.
“Padyshim që do të jetë vaksina e Universitetit AstraZeneca / Oxford që do të bëj”, tha Johnson, duke iu referuar vaksinës britanike që po përdoret së bashku me vaksinën Pfizer/ BioNTech në fushatën masive të vaksinimit të filluar në dhjetor në Britani.
Duke iu përgjigjur kritikave mbi menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, e cila ka marrë jetën e më shumë se 125,000 njerëzve në Britani, Boris Johnson tha se ndjente “keqardhje” për atë që kishte ndodhur, duke siguruar që ai do të merrte “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e qeverisë.
Kujtojmë se disa shtete evropiane kanë pezulluar vaksinimin me “AstraZeneca”, pas shqetësimeve se vaksina shkaktonte mpiksje gjaku. Njoftimi nga OBSH dhe Agjencia Europiane e Barnave do të jepet ditën e nesërme, nëse vaksinimi me “AstraZeneca” duhet të vijojë ose jo.