Vatrat e zjarrit në Europën Jugore kanë vijuar të zgjerojnë perimetrin e tyre, duke detyruar mijëra qytetarë të braktisin banesat, ndërsa autoritetet franceze kanë vendosur të ndalojnë praninë e publikut në një etapë të garës çiklistike Tour de France.
Të lidhura
None found
Në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi, qindra zjarrfikës janë angazhuar në betejën me flakët, të cilat deri tani kanë shkatërruar mbi 190 kilometra katrorë tokë. Kjo situatë po zhvillohet në një moment kur meteorologët parashikojnë një tjetër rritje të temperaturave, deri në 40 gradë celsius në disa zona që ende vuajnë pasojat e valës rekord të të nxehtit të javëve të fundit.
Afër qytetit Perpignan, në jugperëndim të Francës, rreth 700 zjarrfikës, të ndihmuar edhe nga avionë të specializuar, po punojnë për të frenuar një zjarr të cilësuar si “gjigant”, që po avancon me ritëm të shpejtë në një terren të vështirë për t’u arritur. Sipas autoriteteve lokale, të favorizuara nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe ajri jashtëzakonisht i thatë, flakët pothuajse e kanë trefishuar sipërfaqen që nga mëngjesi i së dielës, duke djegur 46 kilometra katrorë dhe duke lënë të plagosur një zjarrfikës dhe një banor.
“Zjarri iu afrua shtëpive deri në 300 metra. U tronditëm nga shpejtësia me të cilën u përhap; ishte e frikshme, na pushtoi paniku”, deklaroi banori i zonës, Paco Paez.
Në Spanjë, pranë vijës bregdetare verilindore të Costa Brava, një zjarr ka përpirë mbi 2.200 hektarë brenda vetëm dy ditësh. Zjarrfikësit kanë paralajmëruar se ndërhyrja do të vështirësohet më tej për shkak të rritjes së temperaturave dhe ekzistencës së shumë vatrave ende aktive brenda perimetrit të zjarrit. Ndërsa në Portugali, autoritetet e emergjencës bënë të ditur se rreth 80% e një zjarri që ka shkatërruar afro 13.000 hektarë pyje dhe shkurre në veri të vendit është vënë nën kontroll.
Në Greqi, një zjarr pyjor pranë Selanikut përfshiu dy fabrika gjatë fundjavës, çka i detyroi autoritetet të evakuonin zonën përreth. Për shkak të tymit të dendur dhe substancave të rrezikshme të çliruara nga djegia e objekteve industriale, banorëve u është kërkuar të mbajnë dritaret të mbyllura, ndërsa autoritetet paralajmëruan se tymi që del nga flakët është toksik.
