Transmetuesi publik belg “VRT”, i ka kushtuar një analizë të gjatë kryeministrit Edi Rama, duke e ndjekur rrugëtimin e tij që nga hapat e parë në politikë.
Media belge ka hartuar një profil të plotë për të, ku përfshihet edhe periudha kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, si dhe fakti që ai është i njohur edhe si piktor.
Të lidhura
None found
Në artikull përmenden gjithashtu takimet dhe vizitat e tij me liderë të botës, ku paraqitet si një figurë politike karizmatike.
Megjithatë, shkrimi thekson se pas imazhit të reformatorit dhe politikanit tërheqës fshihet një drejtues i akuzuar për shtypje të lirisë së medias dhe i shënjestruar vazhdimisht nga pretendime për korrupsion.
“VRT” shkruan se disa ish-ministra të kabinetit Rama, janë akuzuar dhe dënuar për korrupsion, ndërsa vetë Rama i hedh poshtë të gjitha akuzat.
Në pjesën që i kushtohet protestave, thuhet se qytetarët kërkojnë ndryshime kushtetuese, ndaljen e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit.
“Por, pas atij imazhi të reformatorit, artistit dhe politikanit karizmatik, fshihet edhe një politikan që vitet e fundit është përfshirë vazhdimisht në polemika. Sipas kundërshtarëve të tij, tepër shumë pushtet politik është përqendruar rreth figurës së tij.
Edhe liria e medias është nën presion në Shqipëri. Mediat kritike përballen me presione dhe Rama është përplasur edhe me organizatën ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, e cila e ka ulur Shqipërinë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Rama është përndjekur prej vitesh edhe nga akuza të vazhdueshme për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe favorizim të njerëzve të afërt.
Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka shprehur shqetësim për mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ish-ministra të qeverisë Rama janë akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Vetë Rama i mohon të gjitha akuzat.
Organizatat ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni dhe ndikimi politik mbeten probleme serioze në Shqipëri, veçanërisht në projektet e zhvillimit urban.
Prandaj nuk është aspak çudi që i ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove”, i cili nisi si protestë kundër një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Prej javësh, dhjetëra mijëra njerëz dalin në rrugë, të shtunën për të 35-ën herë radhazi, pikërisht në ditëlindjen e Ramës.
Ata e akuzojnë kryeministrin se u jep përparësi investitorëve të huaj mbi interesat e vendit. Rama, megjithatë, beson se resorti luksoz do ta forcojë edhe më tej sektorin tashmë në rritje të turizmit.
Ndërkohë, pakënaqësia nuk drejtohet më vetëm kundër projektit të kompleksit me 10.000 dhoma të lidhur me familjen Trump. Protestuesit tani kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese, fundin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit”, raporton media belge.
