Të paktën pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu mëngjesin e së mërkurës në një godinë apartamentesh në zonën Linkeroever të Antwerpit, në Belgjikë.
Flakët përfshinë ndërtesën 10-katëshe, ku banonin mbi 200 njerëz, duke detyruar autoritetet të kryenin evakuimin e menjëhershëm të saj. Sipas të dhënave zyrtare, disa prej banorëve kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar në spital, ndërsa të tjerë kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes.
Të lidhura
None found
“Pak para orës 10:00 të mëngjesit, një zjarr shpërtheu në një pallat apartamentesh në August Vandermeylelaan, në Linkeroever. Shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një zjarr serioz. Ka disa persona të plagosur rëndë dhe disa të tjerë me lëndime më të lehta, të cilët po marrin trajtim mjekësor në vendngjarje. Fatkeqësisht, ka edhe viktima. Për momentin, zjarrfikësit po vijojnë kontrollin e ndërtesës për të parë nëse ka ende persona brenda”, deklaroi Kim Bastien, zëdhënëse e policisë së distriktit të Antverpit.
Në raportimet e para u tha se zjarri kishte nisur në katin e dhjetë, por më pas zjarrfikësit saktësuan se vatra ndodhej në katin e tetë. Në momentin kur ekipet e para mbërritën në vendngjarje, një pjesë e madhe e pallatit ishte pushtuar nga tymi i dendur.
Një video tronditëse e filmuar në vendin e ngjarjes tregon një burrë teksa zbret nga ballkoni i apartamentit të tij drejt dritares së një banese ngjitur, në përpjekje për t’u larguar nga tymi i madh.
“Ky është një zjarr shumë kompleks. Flakët nuk janë ende plotësisht nën kontroll, por përhapja e tyre është ndaluar. Ky është një zhvillim pozitiv”, tha një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Antverpit.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës po vazhdojnë kontrollin brenda godinës dhe po mbështeten edhe te lista e banorëve për të përcaktuar nëse ka ende persona të mbetur në brendësi.
“Ne kemi gjetur persona të tjerë. Ekipi ynë i shpëtimit është angazhuar gjithashtu për të evakuuar banorët në mënyrë të pavarur, përmes mjeteve të posaçme dhe shkallëve të zjarrfikësve”, deklaruan autoritetet.
