Një shpërthim pranë një stacioni policie në verilindje të Kolumbisë ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 11 të tjerëve, bënë të ditur autoritetet lokale të martën.
Ngjarja u regjistrua rreth mesnatës në Los Patios, qytet pranë kufirit me Venezuelën dhe pjesë e zonës metropolitane të Cúcutës.
Të lidhura
None found
Dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur në një automjet të lënë të parkuar në afërsi të komisariatit. Ndër të plagosurit raportohet se ndodhen edhe efektivë policie.
Presidenti kolumbian Abelardo de la Esperanza e dënoi sulmin, duke deklaruar se autoritetet do të punojnë për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.
“Kolumbia nuk do t’i nënshtrohet terrorizmit”, shkroi ai në një postim në rrjetin social “X”.
Ky është një tjetër sulm i ngjashëm në zonën e Cúcutës. Në gusht, një shpërthim pranë një stacioni policie në qytet plagosi 11 oficerë. Për atë ngjarje, autoritetet akuzuan Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN), grupin më të madh rebel në Kolumbi.
Rrethinat e Cúcutës prej kohësh konsiderohen një nga zonat kryesore të konfliktit mes grupeve të armatosura dhe bandave të trafikut të drogës, të cilat synojnë të marrin nën kontroll rrugët e kontrabandës drejt Venezuelës.
Marrëveshja e paqes e firmosur rreth një dekadë më parë mes qeverisë së Kolumbisë dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) solli ulje të ndjeshme të dhunës në shumë zona të vendit.
Pavarësisht kësaj, në disa rajone përplasjet janë shtuar sërish. Grupet e armatosura më të vogla po luftojnë mes tyre dhe me forcat qeveritare për kontrollin e territoreve që më herët administroheshin nga FARC.
