Zëvendës presidenti amerikan J.D. Vance e zvogëloi rëndësinë e tensioneve të fundit me Iranin, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një “luftë”, megjithëse pranoi se nuk ka një datë të qartë se kur do të marrin fund përplasjet.
Të lidhura
None found
Në një dalje para mediave në Shtëpinë e Bardhë, ai sqaroi se “operacionet luftarake aktive” kanë pushuar dhe për momentin nuk ka luftime të hapura.
Këto komente vijnë në një kohë kur forcat amerikane dhe iraniane kanë këmbyer goditje ditët e fundit, me ushtrinë e SHBA-së që ka goditur objektiva afër Ngushticës së Hormuzit. Sipas të dhënave të Pentagonit, që nga fillimi i përleshjeve në fund të muajit shkurt, 18 ushtarakë amerikanë kanë humbur jetën dhe afro 790 të tjerë janë plagosur.
Vance shmangu dhënien e një afati për përmbylljen e armiqësive dhe nuk konfirmoi nëse situata do të zgjidhet përpara zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit. “Kur do të mbarojë kjo? Nuk e kam idenë. Këtë duhet t’ia drejtoni palës iraniane,” u shpreh ai.
Ai shtoi se në këto momente nuk ka asnjë dialog me Teheranin dhe se Uashingtoni nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve pa u ndalur më parë sulmet kundër anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit.
Përplasjet kanë sjellë pasoja edhe në bursën e karburanteve. Kur u pyet se kur mund të zbresë sërish çmimi i benzinës në 3 dollarë, Vance nuk dha garanci konkrete. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë veprimet ushtarake pranë Hormuzit, teksa mbeten shqetësime serioze për sigurinë e transportit të nafës dhe gazit.
Në fund, Vance doli në mbrojtje të Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, pavarësisht valës së kritikave dhe dorëheqjeve të disa zyrtarëve të lartë të Pentagonit.
