Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka rikthyer kritikat ndaj vendeve anëtare të NATO-s për mungesën e mbështetjes gjatë konfliktit me Iranin, teksa tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga qëndrimi i aleatëve.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për mediat nga Ankara, përkrah presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Trump u shpreh se i kishte “testuar” aleatët për të kuptuar nëse do të qëndronin në krah të SHBA-së në një moment të vështirë.
“Isha duke i testuar njerëzit. Doja të shihja nëse do të ishin aty për ne, sepse prej kohësh kam thënë se ne i ndihmojmë ata, por nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin aty për ne,” deklaroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, disa shtete të NATO-s vendosën të mos përfshiheshin në konfliktin me Iranin, gjë për të cilën ai shprehu pakënaqësi.
“Nuk u trajtuam mirë. Madje, nuk doja as ndihmën e tyre, pasi ata thanë se nuk do të ishin aty. Ne kemi investuar triliona dollarë në NATO për të mbrojtur vendet europiane dhe të tjerët,” tha ai.
Trump përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë Italinë, Gjermaninë dhe Francën, duke i akuzuar se refuzuan të mbështesnin Shtetet e Bashkuara.
“Italia na refuzoi, Gjermania na refuzoi dhe Franca na refuzoi. Është në rregull, por pse ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë, ndërsa ata nuk janë aty për ne? Ne kemi qenë gjithmonë pranë tyre,” u shpreh presidenti amerikan.
Ai foli gjithashtu për vendimin e kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer, i cili lejoi përdorimin e bazave ajrore britanike nga forcat amerikane vetëm për sulme me karakter mbrojtës ndaj Iranit, duke e cilësuar këtë si një vendim “shumë jopopullor”.
Trump shtoi se pjesëmarrja e tij në samitin e NATO-s mund të mos kishte ndodhur, nëse takimi nuk do të ishte zhvilluar në Turqi.
“Nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi, ku miku im është një lider shumë i fortë, është e mundur që nuk do të kisha ardhur,” tha ai, duke iu referuar presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
