Presidenti Donald Trump po shfaq një zhgënjim në rritje përballë përplasjes me Iranin, e cila ka mbushur pesë muaj pa një rrugëdalje të dukshme, ndonëse ai vetë parashikonte se përballja do të përfundonte brenda pak javësh.
Të lidhura
None found
Gazeta Wall Street Journal raporton se në një mbledhje të tensionuar në Zyrën Ovale, Trump ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj drejtuesve iranianë, duke i sharë hapur dhe duke shfaqur nervozizëm për vazhdimësinë e përleshjeve.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po dislokon trupa shtesë në rajonin e Lindjes së Mesme, çka i ofron presidentit më tepër mundësi për një eskalim të mëtejshëm ushtarak. Pas një takimi tjetër me kabinetin dhe këshilltarët, Trump u shpreh se “çështja iraniane po shuhet dita-ditës”, duke shtuar se SHBA-të janë në kontakt me Teheranin.
Rruga diplomatike megjithatë duket se po përballet me vështirësi. Kryeministri irakian Ali Al Zaidi, i cili sapo kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq të ndërmjetësonte një armëpushim gjatë vizitës së tij në Iran, por Teherani e hodhi poshtë ofertën duke nënvizuar se çështja nuk qëndron tek ndërmjetësit, por te vetë qëndrimi amerikan.
Në planin ndërkombëtar, administrata amerikane po kërkon të angazhojë edhe fuqitë evropiane për të siguruar kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor thelbësor për transportin botëror të naftës.
Brenda Shtëpisë së Bardhë ka shqetësime lidhur me pasojat elektorale të kësaj përplasjeje. Disa nga bashkëpunëtorët e Trump kanë frikë se republikanët rrezikojnë humbje në zgjedhjet afatmesme për shkak të rritjes së çmimeve, rënies së mbështetjes popullore dhe humbjeve njerëzore mes forcave amerikane.
Vetë presidenti ka kaluar muajt e fundit mes shpalljeve të armëpushimeve dhe kërcënimeve të reja për sulme shkatërruese, por pas qetësive të shkurtra përplasjet rifillonin. Së fundi, ai ka rikthyer ultimatumin për goditje ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës strategjike të Iranit.
Një funksionar i lartë amerikan pohon se Trump është i bindur se regjimi i Teheranit reagon vetëm para forcës, ndaj bombardimet po vazhdojnë. Megjithatë, presidenti tregohet hezitues për të firmosur një ndërhyrje tokësore që do të rriste ndjeshëm rrezikun për ushtarët amerikanë dhe mund të irritonte bazën e tij të lëvizjes MAGA.
Përtej presioneve politike, Pentagoni ndjek me merak konsumimin e rezervave të municioneve nga sulmet ajrore. Rimbushja e këtyre stoqeve kërkon fonde të mëdha dhe kohë të gjatë, duke shkaktuar shqetësime për aftësinë e SHBA-ve për t’u përballur me një tjetër konflikt.
Në këtë klimë, presidenti dhe rrethi i tij i afërt kanë forcuar masat e sigurisë për shkak të kërcënimeve iraniane. Këshilltarëve kryesorë u është këshilluar të mos përdorin shërbime si Uber, ndërkohë që gjatë një vizite në Turqi për samitin e NATO-s, Izraeli ngriti alarmin për një plan të mundshëm iranian për atentat ndaj Trumpit.
Me dështimin e diplomacisë dhe pa rrugëdalje tjetër, disa zëra republikanë vlerësojnë se presidenti po i kthehet “Planit A”: ushtrimit të fuqisë ushtarake kundër Iranit.
