Ka nisur sot zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Hamasit, për një armëpushim pas rreth 15 muajsh luftime.
Papa Francesku ka bërë thirrje që armëpushimi në Gaza të “respektohet menjëherë”, ndërsa bëri presion për një rritje të ndihmave humanitare.
“Unë shpreh mirënjohje për të gjithë ndërmjetësit. Faleminderit të gjitha palëve të përfshira në këtë rezultat të rëndësishëm. Shpresoj që, siç është rënë dakord, do të respektohet menjëherë nga palët dhe të gjithë pengjet më në fund do të mund të shkojnë në shtëpi për të përqafuar sërish të dashurit e tyre”, tha Papa argjentinas menjëherë pas fillimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Ai ka shtuar se shpreson që ndihma humanitare do të mbërrijë më shpejt pranë civilëve në Gaza, të cilët kanë shumë nevojë.
“Unë gjithashtu shpresoj që ndihma humanitare do të arrijë edhe më shpejt. Njerëzit e Gazës kanë kaq shumë nevoja urgjente. Si izraelitët ashtu edhe palestinezët kanë nevojë për shenja të qarta shprese. Shpresoj se autoritetet politike të të dyjave palëve me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar mund të arrijnë zgjidhjen e duhur me dy shtete. Të gjithë le t’i thonë po dialogut, po pajtimit, po paqes”, shtoi ai.
Gjithsej 33 robër të marrë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 janë planifikuar të kthehen nga Gaza gjatë një armëpushimi fillestar 42-ditor.