Sulmet me raketa/ Izraeli merr vendimin, mbyllet kufiri me Gazën

Izraeli mbylli një pikë kryesore kufitare me Gazën, pasi militantët palestinezë hodhën një breshëri mortajash dhe raketash në Izraelin jugor.

Dy njerëz – që besohet të kenë qenë punëtorë bujqësorë tajlandezë – u vranë dhe dhjetë u plagosën në anën izraelite.

Vendkalimi Kerem Shalom u hap vetëm për të lejuar hyrjen e kamionëve me ndihma nga Jordania.

Kombet e Bashkuara e mirëpritën vendimin, por gjithashtu i bënë thirrje Izraelit që të hapë kalimin kryesor Erez, në mënyrë punonjësit humanitarë dhe furnizimet të mund të depërtojnë.

Dhuna midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit është përshkallëzuar qysh më 10 maj.

Autoritetet shëndetësore në Gaza – rajon që kontrollohet nga Hamasi – thonë se së paku 212 palestinezë, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit.

Në Izrael, 12 vetë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet e Hamasit me raketa, thonë shërbimet mjekësore atje.

Izraeli tha të martën se në mesin e viktimave në Gaza janë së paku 150 militantë.

Hamasi nuk dha shifra për luftëtarët e tij të vrarë.

Forcat izraelite po ashtu i vazhduan sulmet ajrore në Gaza.

Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, Ocha, tha se 52,000 njerëz në Gaza janë zhvendosur.

Luftimet – më të këqijat në Gaza dhe Izrael qysh në vitin 2014 – vijnë pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor. Ky lokacion është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. /Rel/


Shtuar 18.05.2021 21:20

Tags: , ,