Një gjykatë pune në Britani i ka akorduar 19,042 paundë dëmshpërblim një shofereje kamioni, pasi kolegia e saj e kishte akuzuar se shfrytëzonte pamjen fizike dhe ofronte favore seksuale për të siguruar përfitime në punë.
Të lidhura
None found
Charlotte Brooks, e punësuar si shofere HGV pranë kompanisë Co-op, tha se komentet e Kerry Dawson ishin pjesë e një sjelljeje që për rreth dy vjet e kishte bërë të ndihej e bullizuar dhe e ngacmuar, sipas The Sun.
Rasti u shqyrtua nga një gjykatë pune në Exeter, Devon, ku në qendër të procesit ishin pretendimet për ngacmim seksual dhe diskriminim të drejtpërdrejtë mbi bazë gjinore.
Dëshmitë e paraqitura gjatë gjykimit treguan se Dawson kishte bërë deklarata fyese ndaj Brooks në kohën kur të dyja po trajnoheshin për drejtimin e automjeteve të tonazhit të rëndë. Brooks mori gjithashtu, në një rast tjetër gjatë vitit 2024, një mesazh zanor që përmbante komente denigruese për pamjen e saj.
Pas një hetimi të brendshëm, Co-op vendosi fillimisht ta largonte Dawson nga puna. Megjithatë, ajo e kundërshtoi masën dhe, pas apelimit, pushimi nga puna u ndryshua në një paralajmërim me shkrim.
Rikthimi i Dawson në punë pati pasoja të rënda për Brooks. Ajo deklaroi se përjetoi stres dhe shqetësim, ndërsa gjendja emocionale e detyroi të merrte leje nga puna.
Gjykatësja e punës Paula Volkmer konstatoi se komentet drejtuar Brooks përmbushnin kriteret e ngacmimit seksual. Ajo vlerësoi se gjatë procedurës së apelimit nuk i ishte kushtuar vëmendja e duhur as seriozitetit të sjelljes, as ndikimit të saj te punonjësja.
Sipas gjykatëses, mënyra se si ishte administruar çështja tregonte gjithashtu një prirje për ta zvogëluar natyrën seksuale të ngacmimit.
Në përfundim të padisë së ngritur kundër Co-op, gjykata vendosi që Brooks të përfitonte një dëmshpërblim prej 19,042 paundësh.
