Shtetet e Bashkuara dhe Bolivia kanë firmosur një marrëveshje të re bashkëpunimi për përballjen me trafikimin e drogës, duke shënuar marrëveshjen e parë të këtij lloji që prej vitit 2008, pas gati dy dekadash raportesh të acaruara.
Programi i ri parashikon që Uashingtoni të vërë në dispozicion trajnime, pajisje dhe asistencë teknike për institucionet boliviane të rendit, me fokus goditjen e rrjeteve të narkotikëve, luftën ndaj krimit financiar dhe rritjen e transparencës në polici dhe në sistemin gjyqësor të vendit.
Të lidhura
None found
Ambasada e SHBA-së në La Paz njoftoi se zbatimi i këtij programi do të udhëhiqet nga Agjencia Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit. Për këtë strategji, SHBA ka vënë në dispozicion një fond prej 20 milionë dollarësh.
Kjo marrëveshje përbën një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve. Në vitin 2008, presidenti i atëhershëm i Bolivisë, Evo Morales, ndërpreu lidhjet diplomatike me Uashingtonin dhe dëboi nga vendi Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA), duke e akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në çështjet e brendshme.
Nga ana tjetër, presidenti aktual bolivian, Rodrigo Paz, ka zgjedhur një drejtim të ri në politikën e jashtme, duke synuar afrimin me Shtetet e Bashkuara dhe me institucionet financiare ndërkombëtare, pas më shumë se dy dekadash sundimi socialist.
Ndonëse DEA nuk i ka rihapur zyrtarisht zyrat e saj në Bolivi, autoritetet në La Paz kanë bërë të ditur se agjencia amerikane po bashkëpunon me strukturat vendase në betejën kundër krimit të organizuar.
Bolivia, që konsiderohet prodhuesi i tretë më i madh i kokainës në botë, në fillim të këtij viti iu bashkua edhe nismës amerikane “Mburoja e Amerikave”, e promovuar nga administrata e presidentit Donald Trump për të luftuar trafikun e drogës dhe organizatat kriminale ndërkombëtare.
Megjithëse raportet mes dy vendeve janë afruar, SHBA dhe Bolivia ende nuk kanë shkëmbyer ambasadorë, edhe pse të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike.
