Vendet e G7-ës kanë vendosur të ashpërsojnë më tej qëndrimin ndaj Rusisë, duke miratuar ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën dhe duke paralajmëruar një valë të re sanksionesh.
Nga takimi i grupit G7 në Évian të Francës doli një mesazh i qartë: shtetet anëtare synojnë të rrisin ndjeshëm, në mënyrë të bashkërenduar, trysninë mbi Moskën. Në kuadër të samitit, ato ranë dakord për masa të reja ndëshkuese ndaj sektorit energjetik rus.
Të lidhura
None found
Këto vendime synojnë të shtojnë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Sanksionet e miratuara nga drejtuesit e shteteve dhe qeverive të G7-ës godasin kryesisht naftën dhe gazin rus.
Njëkohësisht, vendet e G7-ës u pajtuan edhe për mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, përfshirë hapa për forcimin e mbrojtjes ajrore.
I pranishëm si i ftuar në samit, Volodymyr Zelenski u shpreh: “Patëm një takim vërtet të fortë”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi Rusisë të arrijë një marrëveshje me Kievin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump tha se në muajt e fundit kishte qenë “i fokusuar te Irani”. Sipas presidentit amerikan, tani Irani kalon në plan të dytë dhe ai do t’i rikthehet sërish çështjes së Ukrainës.
Ai deklaroi gjithashtu se SHBA-ja do të të rivendosë “së shpejti” sanksionet ndaj eksporteve të naftës ruse. Disa muaj më parë, SHBA-ja kishte lehtësuar kufizimet ndaj naftës ruse në kuadër të përballjes me Iranin.
Ndërkohë, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftuan se do të vendosin sanksione të reja ndaj kompanive të industrisë së mbrojtjes, rrjeteve financiare dhe sektorit energjetik të Rusisë.
Keir Starmer deklaroi se “Në bashkëpunim me aleatët tanë të G7-ës do ta rrisim më tej presionin ndaj Vladimir Putinit dhe rrethit të tij të bashkëpunëtorëve”. Sipas tij, Britania e Madhe ka planifikuar 70 masa të reja sanksionesh, të cilat do të prekin, mes të tjerash, edhe 20 cisterna të tjera të së ashtuquajturës flotë “hije” e Rusisë.
Edhe Mark Carney bëri të ditur se Kanadaja do të zgjerojë listën e saj të sanksioneve me 162 vetë, kompani dhe anije. /DW
