Pas përfundimit të samitit në Gjenevë të Zvicrës mes presidentit amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin, presidenti Putin ka quajtur homologun e tij amerikan “burrë shteti me përvojë”.
“Ai është shumë ndryshe nga presidenti Donald Trump. Ai është një person konstruktiv, i ekuilibruar, me përvojë. E prisja këtë. Ai foli për familjen e tij dhe bisedimet që bënte me të ëmën. Këto gjëra nuk është se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punët tona, por tregojnë cilësitë dhe vlerat e tij. Kjo nuk do të thotë se duhet të shohim sytë dhe shpirtin e njëri-tjetrit. Ne mbrojmë interesat e shteteve tona dhe kjo bëhet me pragmatizëm”, tha Putin në konferencë.
Takimi i së mërkurës është i pari i Presidentit Joe Biden me Putin që nga marrja e detyrës. Të dy palët pranojnë se marrëdhënia midis dy kombeve është e vështirë dhe nuk ka shumë shpresë për fusha kuptimplota të marrëveshjes.