“Prigozhin gatuan helmin “Tourist”, kasapët e “Vagner” shiten si heronj”

Ndryshe nga shumë forma të tjera të artit, filmi prodhon një ndjenjë të menjëhershme. Aftësia e filmit për të krijuar iluzionin e jetës dhe realitetit, lejon që ai të përdoret si një medium për të paraqitur ide ose realitete alternative, duke e bërë më të lehtë për shikuesin që t’a perceptojë këtë si një përshkrim të saktë të jetës, prandaj filmi është përdorur shpesh herë si një nga format më të mëdha të propagandës nga shumë shtete të mëdha për të nisur luftëra, ose për të pastruar imazhin e tyre. Rusia është një nga këto shtete e cila ka përdorur filmin si formë propagande që kur ky vend njihej si Bashkimi Sovjetik nën sundimin e Stalinit.

Një nga filmat e fundit propagandistik është edhe filmi “Tourist” që shfaq një nga kompanitë ushtarake më të tmerrshme në botë si heronj. Një film që glorifikon misionin e të ashtuquajturve “instruktorë ushtarakë” në CAR, i dubluar në Songo, (një gjuhë lokale). CAR është një nga zonat kryesore për ushtarët Wagner. Kjo zonë është e pasur me burime natyrore dhe politikisht e paqëndrueshme. Megjithatë, në këtë film ka shumë më tepër sesa shpërthime të forta, armë të mëdha dhe pamje të bukura të xhunglës Afrikane. Ajo paraqet në mënyrë pozitive se si influenca Ruse po ndikon për mirë në këtë vend.

Por, çfarë është “Wagner”?
Kompania private ushtarake ruse “Wagner Group” mund të duket si një kompani biznesi konvencionale, por menaxhimi dhe operacionet e saj janë të ndërthurura thellë me komunitetin ushtarak dhe inteligjencën ruse. Pronari i kompanisë së “Wagner Group” mendohet të jetë biznesmeni i famshëm Yevgeny Prigozhin, i ashtuquajturi “kuzhinieri i Putinit” për shkak të shërbimit të ushqimit që ofron kompania “Concord Food Catering” në Kremlin, që është pronë e tij, dhe për marrëdhëniet e tij të ngushta me Kremlinin. Yevgeny Prigozhin, i cili duhet të konsiderohet më shumë si një “lolo” i Kremlinit sesa si një drejtues i zakonshëm i ndërmarrjes, është një ish-i dënuar për grabitje, mashtrim si dhe për prostitucion të miturish. Prigozhin është akuzuar edhe për përpjekjet që ai dhe kompania e tij kanë kryer për të ndikuar në zgjedhjet e vendeve perëndimore.

Grupi “Wagner” ka qenë i pranishëm në Libi të paktën që nga viti 2018. Libia ka një rëndësi strategjike për firmat energjetike të Rusisë, pasi është e pasur me naftë të cilësisë së lartë. Wagner ka qenë i pranishëm edhe në Sudan, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Madagaskar.
Në Sudan, presidenti i atëhershëm Omar al-Bashir është takuar me Vladimir Putin, duke i kërkuar mbështetje kundër ndërhyrjeve të supozuara të jashtme. Në vijim, Moska ra dakord të siguronte pajisje dhe ndihmë tjetër për forcat sudaneze të siguruara jo nga shërbimi kryesor ushtarak i inteligjencës së jashtme ruse, por nga “Wagner”. Në këmbim, Rusia përfitoi një numër të madh marrëveshjesh dhe bashkëpunimesh ekonomike, për minierat e naftës dhe arit në Sudan. Në Siri, mercenarët e “Wagner” kanë siguruar fushat e naftës në këmbim të përfitimeve.

Në Republikën e Afrikës Qendrore, kompanive të lidhura me Prigozhin u janë dhënë të drejta kërkimi në minierat e arit dhe diamantit. Mercenarët rusë, të vendosur nën maskën e këshilltarëve ushtarakë të paarmatosur, çuan forcat qeveritare në betejë gjatë një ofensive për të dëbuar rebelët nga disa qytete në Janar dhe Shkurt. Dhe përveç kryerjes së abuzimeve, operativët rusë u vendosën në qendrat kryesore të minierave të një vendi me rezerva të mëdha diamanti. Kohët e fundit, “Wagner” është akuzuar se kanë vrarë civilë, kanë plaçkitur shtëpi dhe kanë vrarë besimtarët brenda një xhamie gjatë një operacioni të madh ushtarak në fillim të këtij viti në një nga vendet më të brishta të Afrikës.

Ndërsa mercenarët rusë akuzohen për abuzime të të drejtave të njeriut në vendin e varfër afrikan, filmi “Tourist” jep një pamje më heroike për ta. “Turisti” hapet me një kthim prapa të mercenarëve rusë që po sulmohen nga një grup rebelësh të Afrikës Qendrore, ku protagonisti kryesor i filmit i njohur vetëm me emrin “Turisti” ngel i plagosur rëndë duke e shfaqur atë si një viktimë dhe duke i shfaqur Grupin e rebelëve si antagonist të fuqishëm dhe të pamëshirshëm, gjakatarë dhe mizorë. Filmi u jep shikuesve një portretizim të mirë të punës së rusëve në CAR, duke zmbrapsur sulmet e rebelëve, së bashku me partnerët e tyre në ushtrinë lokale dhe duke prishur planin e tyre për të sulmuar Bangui dhe për të kthyer ish Presidentin Francois Bozize në pushtet një antagonist tjetër në film. Grupi ushtarak Wagner është në Afrikën Qendrore vetëm për trajnim jo për të luftuar, por nga rrjedhja e ngjarjeve ata janë duke luftuar më shumë se sa duke u trajnuar. Kjo pasqyron situatën në botën reale: Komuniteti ndërkombëtar mendon se mercenarët mund të jenë duke bërë vetëm disa trajnime, por ata gjithashtu janë shumë të përfshirë në operacione luftarake. Gjatë gjithë filmit, ekspertët ushtarakë rusë portretizohen si të mirë dhe bujarë, ndërsa filmi shpesh sulmon këshilltarët francezë dhe të tjerë perëndimorë, duke i portretizuar ata si përhapës të paqëndrueshmërisë dhe kaosit në rajon.

I dyshimtë është edhe sponsorizimi i filmit. Sipas dy burimeve të brendshëm të industrisë së filmit të kontaktuar nga The Moscow Times, Prigozhin ka shumë të ngjarë të jetë mbështetësi i ” Tourist” . Filmi është sponsorizuar nga një studio relativisht e panjohur me qendër në Shën Petersburg e regjistruar nën markën “Paritet Film”. Të dhënat e regjistrit publik rus tregojnë se gruaja e Prigozhin, Lubov Prigozhin është pronare e një kompanie të veçantë që ishte regjistruar më parë me emrin “Paritet” në Shën Petersburg.

Ky film i mbushur me aksion, “Tourist” ka arritur të kthehet nga arti i trilluar në një film që pretendon se bazohet në një histori të vërtetë. Një histori e treguar nga propaganda ruse për të mbuluar krimet e kompanisë së saj ushtarake. Sipas një raporti në Mars të 2020-së nga një grup ekspertësh të pavarur të mbretërisë së bashkuar , mercenarët rusë Wagner kanë kryer abuzime të të drejtave të njeriut në CAR (Afrika Qendrore) ndërsa luftonin së bashku me forcat qeveritare. Shkeljet e pretenduara përfshijnë ekzekutime masive përmbledhëse, ndalime arbitrare, tortura gjatë marrjes në pyetje dhe zhvendosjen me forcë të popullatës civile, rreth 240,000 prej të cilëve janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve vetëm në muajt e fundit. Kjo është e vërteta, dhe jo një film që shumë qartazi i është dhënë botës për të mbuluar diellin me shoshë.

Përgatiti: Armela Toska


Shtuar 26.07.2021 21:28