Debutimi i iPhone 18 të premten në mëngjes në Sydney të Australisë u shoqërua me një situatë kaotike, pasi një klient pretendoi me zë të lartë se ishte i pari që kishte blerë pajisjen.
Megjithatë, personi që stafi dhe klientët në radhë e konsideruan si blerësin e parë ishte 20-vjeçari Lachlan Collyer.
Të lidhura
None found
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra adhurues të Apple ishin mbledhur jashtë dyqanit në George Street; disa prej tyre madje kishin kaluar natën atje, me synimin për të qenë ndër të parët në botë që do të preknin modelet e reja.
Kur dyert u hapën në orën 8:00, Collyer, i cili kishte pritur disa orë, doli i pari duke mbajtur në dorë iPhone 18 Pro në ngjyrën e re “Glacier Blue”.
Por pak më vonë, një tjetër blerës doli nga dyqani dhe iu drejtua kamerave duke bërtitur: “Unë jam i pari! Unë jam i pari! Të gjitha lajmet e mallkuara janë gënjeshtra!”, duke krijuar një incident të pazakontë.
Pavarësisht këtij pretendimi, të pranishmit dhe punonjësit e Apple vazhduan ta shihnin Collyer si personin e parë që kishte hyrë për të marrë telefonin e ri.
Ndërkaq, dy fansa të tjerë, Mehak Dhiman, 26 vjeç, dhe Shav Chandra, 24 vjeç, kishin arritur në orën 6:00. Ata u shprehën shumë të emocionuar dhe treguan se mezi prisnin ta shihnin nga afër pajisjen, teksa diskutonin mes nuancës “Glacier Blue” dhe variantit të ri “Burgundy”. Ata shpjeguan se kishin ardhur herët pikërisht për të parë ngjyrat përpara se të merrnin vendimin për blerjen.
Gjatë eventit u ekspozua gjithashtu iPhone Duo, celulari i parë i palosshëm i Apple, i cili do të hidhet zyrtarisht në treg më 23 tetor. Dhiman dhe Chandra thanë se donin ta provonin, edhe pse nuk kishin ndërmend ta blinin.
Krahas iPhone 18, Apple prezantoi të premten edhe modelet e përditësuara Apple Watch Ultra 4 dhe AirPods 5. Ndërkohë, kompania bëri të ditur se Mac mini dhe Mac Studio i ri do të jenë të disponueshme në Australi duke filluar nga 22 shtatori.
