Një krim tronditës ka ndodhur në shtetin indian Uttar Pradesh, ku një grua dyshohet se orkestroi vdekjen e bashkëshortit duke përdorur një gjarpër vdekjeprurës, duke u përpjekur ta paraqiste ngjarjen si një tragjedi rastësore.
Viktima, Atul Kumar Panwar, 32 vjeç, drejtonte një çerdhe private në distriktin Meerut. Trupi i tij i pajetë u zbulua të premten në mëngjes brenda shtëpisë ku banonte me gruan dhe djalin e tyre të mitur.
Të lidhura
None found
Forcat e rendit zbuluan se bashkëshortja e të ndjerit kishte komplotuar së bashku me shoferin e autobusit të shkollës, me të cilin dyshohet se kishte një raport intim jashtë martese.
Sipas rikonstruktimit të hetuesve, fillimisht Atulit iu servir qumësht i trazuar me somniferë. Pasi e zuri gjumi i thellë, autorët përdorën një gjarpër të llojit krait — ndër më helmuesit në kontinentin aziatik — për t’i shkaktuar kafshimin fatal. Qëllimi ishte që vdekja të ngjante si pasojë e një incidenti të papritur me zvarranikun.
Në orët e para të mëngjesit pasardhës, gruaja lajmëroi komshinjtë se i shoqi kishte ndërruar jetë nga pickimi i një gjarpri. Zvarraniku u gjet pranë kufomës në shtrat dhe u vra menjëherë nga banorët. Shenjat e kafshimit në gjymtyrë bënë që rasti fillimisht të trajtohej si aksidental.
Pista e hetimeve ndryshoi rrënjësisht pasi babai i viktimës u paraqit në polici duke shprehur bindjen se nusja e tij fshihej pas vrasjes.
Gjatë verifikimeve, doli në pah se shoferi i autobusit kishte nisur punë në institucionin arsimor të familjes vetëm tre muaj më parë dhe se kishte krijuar një marrëdhënie dashurore me gruan e Panwar-it.
Në pranga ranë katër persona: bashkëshortja, i dashuri i saj i supozuar si dhe dy specialistë të kapjes e trajtimit të gjarpërinjve. Këta të fundit akuzohen se furnizuan zvarranikun helmues dhe e përdorën atë si instrument për ekzekutimin e planit vrastar.
Çifti ishte martuar në vitin 2019 dhe sapo kishin hapur një qendër për kujdesin ndaj fëmijëve, ku edhe shoferi i autobusit ishte i punësuar.
Mbikëqyrësi i policisë lokale deklaroi se tërësia e provave të grumbulluara deri më tani dëshmon për një vrasje të mirëmenduar, e inskenuar për t’u maskuar si një vdekje aksidentale nga helmi i gjarprit.
