Papa Leo XIV do të operohet për heqjen e një nyjëze në mushkëri: sa i madh është rreziku për kancer?

Papa Leo XIV pritet t’i nënshtrohet një operacioni gjatë ditëve të ardhshme, pasi në mushkëri i është zbuluar një nyjëz gjatë një kontrolli mjekësor.

Të lidhura

None found

Sipas asaj që ka deklaruar vetë Papa, formacioni është i vogël, i lokalizuar dhe është kapur në një fazë shumë të hershme. Për heqjen e tij, mjekët kanë rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Zbulimi ka rikthyer diskutimet mbi nyjëzat pulmonare dhe lidhjen e tyre të mundshme me kancerin e mushkërive. Megjithatë, prania e një formacioni të tillë nuk do të thotë automatikisht se ai është kanceroz.

Në një shkrim të publikuar nga The Conversation, studiuesit Sarah Diepstraten dhe John (Eddie) La Marca, pjesë e Institutit të Kërkimeve Mjekësore Walter dhe Eliza Hall (WEHI), sqarojnë se nyjëzat në mushkëri hasen shpesh dhe në shumicën dërrmuese të rasteve janë beninje.

Nyjëzat pulmonare janë dëmtime të vogla të krijuara në indin e mushkërive, me diametër deri në 3 centimetra. Ato mund të kenë formë të rrumbullakët ose të parregullt. Kur një formacion është më i madh se 3 centimetra, ai cilësohet si masë pulmonare.

Zbulimi i tyre bëhet zakonisht përmes ekzaminimeve imazherike të kraharorit, përfshirë radiografinë dhe skanerin CT. Shpesh, nyjëzat evidentohen rastësisht gjatë kontrolleve që kryhen për probleme të tjera shëndetësore.

Të dhënat e cituara nga studiuesit tregojnë se këto formacione janë më të zakonshme nga sa mendohet. Në një studim të zhvilluar në Holandë, ku morën pjesë 10,431 persona që nuk kishin pirë kurrë duhan ose e kishin lënë atë, të paktën një nyjëz pulmonare u gjet te 37.7% e grave dhe 47.5% e burrave.

Në Shtetet e Bashkuara, nyjëzat pulmonare janë konstatuar në rreth 31% të skanimeve CT të kraharorit.

Ekspertët presin që përdorimi më i gjerë i ekzaminimeve imazherike dhe përparimi i teknologjisë të çojnë në zbulimin e një numri edhe më të madh nyjëzash.

Rreth 95% e këtyre formacioneve janë beninje dhe nuk përfaqësojnë kancer. Shkaqet mund të lidhen me infeksione, sëmundje të sistemit imunitar apo faktorë të tjerë.

Vetëm një pjesë e vogël e rasteve, rreth 3.7% deri në 5.5%, mund të jetë shenjë e një kanceri të mushkërive në fazë të hershme.

Vlerësimi i rrezikut bëhet duke marrë parasysh moshën, historinë e pirjes së duhanit, praninë e rasteve të kancerit të mushkërive në familje dhe ekspozimin ndaj substancave të rrezikshme, përfshirë asbestin.

Për të kuptuar natyrën e nyjëzës, mjekët analizojnë përmasat, dendësinë dhe pozicionin e saj, si dhe mënyrën se si mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Krahasimi me ekzaminime të mëparshme mund të tregojë nëse formacioni është rritur ose nëse ka pësuar ndryshime të tjera.

Në raste të caktuara, për një përcaktim më të saktë mund të kërkohet edhe biopsi, e cila ndihmon në dallimin mes një formacioni beninj dhe atij malinj.

Heqja kirurgjikale merret në konsideratë kur nyjëza shkakton simptoma, zmadhohet shpejt ose vlerësohet se ka një rrezik të lartë për keqdashje.

Operacioni mund të realizohet përmes kirurgjisë së hapur, por edhe me metoda minimalisht invazive, të cilat përdorin prerje më të vogla, kamera dhe instrumente kirurgjikale. Në raste të veçanta mund të përdoret edhe kirurgjia e asistuar nga roboti.

Nëse analiza pas heqjes së nyjëzës konfirmon praninë e kancerit, trajtimi i mëtejshëm përcaktohet sipas llojit dhe karakteristikave të sëmundjes.

Sipas studimeve të përmendura nga ekspertët, pacientët me kancer të mushkërive jo me qeliza të vogla, të diagnostikuar në fazë të hershme, kishin një rrezik përsëritjeje prej 6–10% gjatë katër viteve të para pas operacionit. Më pas, ky rrezik zbriste në rreth 2% në vit.

Rasti i Papa Leo XIV ka tërhequr vëmendjen te rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe identifikimit të hershëm të ndryshimeve në mushkëri.

Megjithatë, zbulimi i një nyjëze pulmonare nuk përbën në vetvete një diagnozë kanceri. Për të përcaktuar rrezikun nevojiten ekzaminime dhe analiza të tjera, në varësi të tipareve të formacionit dhe gjendjes së pacientit.

Pa përfunduar ndërhyrja dhe pa u kryer vlerësimi mjekësor përkatës, nuk mund të përcaktohet natyra e nyjëzës së zbuluar te Papa Leo XIV.


Shtuar më 13.10.2026 07:52