Sipas Elon Musk, brenda dhjetë viteve paraja mund të bëhet e tepërt, pasi automatizimi dhe inteligjenca artificiale pritet të mbushin tregun me produkte dhe shërbime që tejkalojnë kapacitetin njerëzor për t’i absorbuar.
Të lidhura
None found
Gjatë një bisede me revistën “The Economist”, biznesmeni amerikan argumentoi se përparimet teknologjike po e bëjnë gjithnjë e më të vjetruar arkitekturën aktuale ekonomike.
“Vlera e parasë do të zhduket në horizontin e vitit 2036,” pohoi Musk, duke shtuar se një tepri e ofruar nga robotët dhe inteligjenca artificiale do ta bënte monedhën të parëndësishme.
Ai shtoi se përparimi i vrullshëm i teknologjisë do të rishkruajë edhe logjikën e punësimit. Duke iu përgjigjur frikës për zhdukjen e vendeve të punës, Musk parashikoi një zhvendosje drejt një sistemi “të ardhurash të larta universale”, që do t’u sigurojë njerëzve një cilësi të lartë jete pavarësisht mungesës së një pune tradicionale.
Në lidhje me garën ndërkombëtare për epërsi në inteligjencën artificiale, Musk vlerësoi se Kina ka një potencial të jashtëzakonshëm për të udhëhequr këtë fushë, posa të zgjerojë burimet e saj kompjuterike.
Ai theksoi se firmat kineze tashmë kanë shënuar arritje mbresëlënëse, edhe pse kanë punuar me më pak mjete sesa konkurrentët perëndimorë.
I pyetur edhe për rolin e tij në skenën politike të Shteteve të Bashkuara, drejtuesi i Tesla dhe SpaceX pranoi se ishte angazhuar “pak më tepër seç duhej” në fushatën presidenciale të vitit 2024 dhe se e kishte “tërhequr” vrulli i debatit politik.
