Një operacion emergjent në Kanalin Anglez ka shpëtuar më shumë se 150 emigrantë, pasi varka me të cilën po udhëtonin nga Franca drejt Britanisë së Madhe u përfshi nga flakët.
Të lidhura
None found
Autoritetet detare franceze njoftuan se zjarri nisi në motorin e mjetit lundrues dhe u përhap me shpejtësi, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e rojeve bregdetare të Francës dhe Britanisë.
Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin gjithsej 157 persona, ndërkohë që pesë të tjerë ishin nxjerrë nga varka gjatë natës së të hënës.
Varka ishte nisur nga një zonë pranë Boulogne-sur-Mer. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të kalimeve ilegale në Kanalin Anglez, lëvizja e saj po ndiqej nga autoritetet.
Të dhënat e Observatorit të Migracionit tregojnë se 162 persona kanë humbur jetën nga viti 2018 deri në vitin 2025, teksa tentonin të kalonin Kanalin me varka emigrantësh.
Nga ngjarja e fundit nuk janë regjistruar viktima. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
