Macron distancohet nga fjalët e Bidenit për Putinin

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi kundër “përshkallëzimit” verbal me Moskën. Kjo deklaratë erdhi pasi homologu i tij amerikan Joe Biden e quajti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “kasap”.

“Unë nuk do t’i përdorja ato fjalë,” tha Macron në një intervistë me stacionin France 3.

Presidenti francez theksoi se “duhet bërë gjithçka për të ndaluar përshkallëzimin e situatës” nëse do të ketë ndonjë shpresë për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Macron tha për France 3 se ai e sheh detyrën e tij në “arritjen e armëpushimit dhe më pas tërheqjen e përgjithshme të trupave [ruse] me mjete diplomatike. Nëse duam ta bëjmë këtë, nuk mund të përshkallëzohemi as me fjalë, as me veprime,” ai tha.

Fjalimi në Varshavë

Gjatë një fjalimi të zjarrtëtë shtunën (26.03) në Varshavë Biden e quajti Putinin “kasap” dhe tha: “Ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, sepse lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Ai gjithashtu paralajmëroi forcat ruse që të mos guxojnë të shkelin “asnjë centimetër të vetëm” të territorit të NATO-s.

Polen Warschau Rede von US Präsident Joe Biden zum Ukraine Krieg
Duke përdorur fjalët e Papës së parë nga Polonia, Gjon Pali II, i cili u zgjodh si kreu i Kishës Katolike në vitin 1978, Biden tha: “Mos kini frikë!” dhe shtoi: “Ne jemi pranë jush”. Këto fjalë u drejtohen shtetasve të Ukrainës, por edhe të Polonisë si dhe vendeve të tjera lindore të NATO-s.

Retorika jashtëzakonisht e fortë dhe e zjarrtë e presidentit Biden u relativizua shpejt nga Shtëpia e Bardhë, e cila tha se presidenti nuk po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi. “Ajo që donte të thoshte Presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha zyrtari i Shtëpisë. “Presidenti nuk po vë në diskutim pushtetin e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit.”/DW


Shtuar 27.03.2022 21:48