“Lutem për paqe në të gjithë botën”, Papa Françesku: Fëmijët kanë harruar të buzëqeshin

I ftuar në një intervistë për CBS News, Papa Françesku bëri thirrje për paqe në të gjithë botën, të tronditur nga konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gaza.

Papa deklaroi se “një paqe e negociuar është më mirë se një luftë e pafund”.

“Ju lutemi, vendet në luftë, të gjitha, të ndalojnë luftën. Përpiquni të negocioni. Kërkoni paqe”, deklaroi Papa.

“Ata më thonë se çfarë po ndodh në Gaza. Është shumë e vështirë. Shumë, shumë e vështirë. Dhe ushqimi vjen, por civilët duhet të luftojnë për ta marrë atë”, vazhdoi Ati i Shenjtë.

“Unë lutem për fëmijët që nuk mund të buzëqeshin.”

I pyetur nëse mund të ndihmonte në negocimin e paqes, Papa Françesku u përgjigj: “Unë lutem shumë”.

Gjithashtu në mendjen e Papës është lufta në Ukrainë dhe efektet shkatërruese që pushtimi pati tek fëmijët ukrainas.

“Ata fëmijë nuk dinë të buzëqeshin”, nënvizoi Ati.

“U thashë diçka, por ata harruan të buzëqeshnin. Dhe kjo është shumë e vështirë kur një fëmijë harron të buzëqeshë. Kjo është vërtet shumë serioze. Fëmijët gjithmonë mbajnë një mesazh dhe na japin mundësinë të kemi një zemër më të re”.


Shtuar 25.04.2024 22:52