Miliarderi Leon Black nuk u paraqit të enjten në seancën dëgjimore të Kongresit Amerikan, ku ishte thirrur për të dëshmuar lidhur me marrëdhëniet e tij financiare me Jeffrey Epstein. Mungesa e tij mund të çojë në nisjen e procedurave për shpërfillje të Kongresit.
Të lidhura
None found
Black, bashkëthemelues i Apollo Global Management, konsiderohej një prej klientëve kryesorë të Epstein. Dhoma e Përfaqësuesve po heton lidhjet financiare mes tyre, si dhe marrëveshjet që bashkonin Black me financierin e dënuar për krime seksuale.
Në dëshminë e mëparshme, të zhvilluar në qershor, Black deklaroi se i kishte paguar Epstein rreth 158 milionë dollarë për shërbime këshillimi në fushën e taksave dhe pasurisë. Ai tha se nuk kishte qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Epstein dhe mohoi çdo akuzë për sulm seksual ndaj grave.
Seanca e qershorit u ndërpre pasi Black refuzoi të jepte përgjigje për disa pyetje mbi marrëveshjet e moszbulimit të nënshkruara me gra. Pas kësaj, ligjvënësit e thirrën përsëri për të dëshmuar nën betim dhe për të dorëzuar dokumente që kishin të bënin me këto marrëveshje.
Por miliarderi nuk e zbatoi thirrjen e re. Ai zgjodhi të paraqiste një padi në gjykatën federale kundër kërkesave të Kongresit, duke pretenduar se hetimi nuk përfshihet në mandatin e komitetit.
Susan Estrich, avokatja e Black, deklaroi se komiteti po kryen një hetim përtej autoritetit të tij. Ajo gjithashtu akuzoi ligjvënësit se synojnë të dëmtojnë reputacionin e klientit të saj.
Ndërkohë, më shumë se një duzinë grash, të cilat kanë deklaruar se janë sulmuar seksualisht nga Epstein, i kërkuan Black të përmbushë kërkesat e Kongresit. Ato vlerësojnë se marrëveshjet e moszbulimit mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me Epstein dhe me persona të tjerë të rrethit të financierit.
“Është e trishtueshme që Leon Black preferon të fshihet pas një beteje ligjore sesa t’u përgjigjet pyetjeve të popullit amerikan”, tha James Comer, kryetari republikan i komisionit. Ai shtoi se do të vlerësohen hapat e mëtejshëm.
Edhe demokrati Robert Garcia kërkoi që të nisin procedurat për shpërfillje të Kongresit, duke vënë në dukje se Black tashmë ka shpërfillur dy thirrje për të dëshmuar.
