Komiteti Hetues i Rusisë nis hetim për “financimin e terrorizmit” në emër të Ukrainës

Komiteti Hetues i Rusisë ka njoftuar nisjen e një hetimi për “financimin e terrorizmit” në emër të Ukrainës, duke implikuar gjithashtu SHBA-në dhe forcat aleate.

Sipas deklaratës, hetimet kanë nisur pas një kërkese të parlamentarëve rusë në lidhje me “financimin e aktiviteteve terroriste nga zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe vendeve të NATO-s”.

“Burimet dhe lëvizjet e fondeve që arrijnë në disa milionë dollarë dhe përfshirja e partnerëve të autoriteteve perëndimore, organizatave shtetërore dhe tregtare janë duke u hetuar,” pohoi Komisioni.

Pa paraqitur prova, pala ruse pretendon se Burisma (një kompani me bazë në Kiev, e cila kishte pasur në bordin e saj Hunter Biden) ka vepruar si ndërmjetës për fondet e përdorura “në vitet e fundit për të kryer akte terroriste në Rusi dhe jashtë saj me qëllim të shfarosjes së personaliteteve”.

Rusia gjithashtu këmbëngul se Ukraina është e përfshirë në sulmin terrorist të 22 marsit në vendin e koncerteve të Crocus City Hall në periferi të Moskës, në të cilin u vranë 144 persona. Kievi dhe vendet perëndimore e refuzojnë kategorikisht këtë version të ngjarjeve, ndërsa Shteti Islamik ka marrë prej kohësh përgjegjësinë.

Partneriteti i Hunter Biden me Burisma është një nga temat që shpeshherë ngrenë kundërshtarët republikanë të Joe Biden. Djali i presidentit amerikan mohon të ketë bërë ndonjë gjë të paligjshme apo imorale, ashtu si babai i tij.


Shtuar 9.04.2024 23:25

Tags: ,