Një gjykatë në Stamboll ka urdhëruar arrestimin e komedianit turk Deniz Göktaş, i cili akuzohet nga autoritetet për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë”, si edhe për fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan gjatë një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.
Të lidhura
None found
Göktaş u ndalua në aeroportin kryesor të Stambollit në momentin kur po kthehej nga pushimet. Pas marrjes në pyetje nga prokurorët për pjesë të performancës së tij ku përmendeshin presidenti Erdogan dhe Kurani, gjykata vendosi ndaj tij masën e paraburgimit. Videoja e kësaj shfaqjeje është hedhur në YouTube më 24 qershor dhe deri tani ka marrë rreth 9.4 milionë shikime.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, për përmbajtjen e videos janë paraqitur 185 ankesa. Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë e kritikoi publikisht shfaqjen gjatë predikimit javor të së premtes, duke thënë se përqeshja e vlerave fetare nën mbulesën e humorit dëmton edukimin dhe vlerat e brezit të ri.
Në dëshminë e dhënë përpara prokurorëve, Göktaş kundërshtoi se kishte synuar të fyente besimtarët apo presidentin. Ai tha se e njëjta shfaqje është luajtur për afro tre vjet në qytete të ndryshme të Turqisë dhe se përdorimi i fjalës “diktator” lidhej me një debat publik të njohur në vend.
Vendimi për arrestimin e komedianit shkaktoi reagime të menjëhershme nga mbështetësit e tij, të cilët u grumbulluan jashtë gjykatës në Stamboll për të protestuar. Ndërkohë, në rrjetet sociale qarkulluan gjerësisht pamje të Göktaş me duart e prangosura pas shpine.
Ky rast ndodh në një moment kur autoritetet turke kanë shtuar veprimet kundër kritikëve të qeverisë. Gjatë javëve të fundit janë arrestuar gazetarë, avokatë, akademikë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të komunitetit LGBT+, ndërsa është bllokuar edhe qasja në disa llogari të mediave sociale.
