Një skenë paniku ka shpërthyer në një park argëtimi në shtetin e New Mexico, pasi kablloja e një atraksioni të tipit “bungee” u shkëput teksa dy adoleshentë ndodheshin pezull, duke bërë që kapsula e tyre të përplasej me dhunë pas një shtylle metalike.
Aksidenti u regjistrua në lojën “Southwest Slinger” të parkut Western Playland.
Të lidhura
None found
Departamenti i Zjarrfikësve të Sunland Park raportoi se dy të miturit, një djalë dhe një vajzë, u vlerësuan urgjentisht nga mjekët në vendngjarje. Të dy morën plagë të lehta, por nuk pranuan të dërgoheshin në spital.
Pas këputjes së kabllos, atraksioni ndaloi automatikisht dhe kapsula mbeti e bllokuar lart. Zjarrfikësit ndërhynë shpejt dhe i zbritën të dy pasagjerët në tokë me masa sigurie, duke u ofruar ndihmën e parë aty.
Administrata e Western Playland reagoi duke tërhequr menjëherë nga funksionimi lojën “Southwest Slinger”, si masë parandaluese.
“Atraksioni do të qëndrojë i mbyllur deri në fund të një hetimi të plotë, në bashkëpunim me të gjithë partnerët e autorizuar. Siguria e vizitorëve dhe stafit tonë mbetet përparësia jonë absolute”, thuhet në njoftimin e parkut.
Western Playland shtrihet në rreth 25 hektarë dhe është i njohur për lojërat familjare dhe ato ekstreme. Parku ka më shumë se pesëdhjetë vjet që operon dhe cilësohet si një prej destinacioneve më të frekuentuara argëtuese në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe verifikimin e zbatimit të normave të sigurisë kanë nisur menjëherë nga autoritetet përkatëse.
