Parlamenti japonez ka aprovuar amendamente në ligjin që rregullon familjen perandorake, në përpjekje për t’iu përgjigjur numrit të pakët të trashëgimtarëve dhe zvogëlimit të vazhdueshëm të kësaj familjeje.
Të lidhura
None found
Vendimi, i miratuar nga Dhoma e Lartë, u mundëson familjeve perandorake të adoptojnë të afërm meshkuj që kanë mbushur 15 vjeç. Po ashtu, princeshat do të kenë të drejtë të mbajnë statusin mbretëror edhe pas martesës me persona që nuk janë pjesë e familjes perandorake.
Reforma parashikon gjithashtu kthimin në familjen perandorake të pasardhësve meshkuj nga 11 degë të mëparshme perandorake, të cilat u përjashtuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse sjell këto ndryshime, ligji ruan ndalimin që gratë të ngjiten në fron. Për këtë arsye, Princesha Aiko, vajza e vetme e Perandorit Naruhito, nuk mund të jetë trashëgimtare e kurorës, pasi legjislacioni japonez e kufizon trashëgiminë vetëm te meshkujt.
Radha aktuale e trashëgimisë përfshin Princin Fumihito, vëllain më të vogël të perandorit, djalin e tij Princin Hisahito dhe xhaxhain 90-vjeçar të perandorit. Në rast se Hisahito nuk do të ketë djalë, linja e trashëgimisë mund të mbyllet.
Ky vlerësohet si ndryshimi i parë madhor i Ligjit të Shtëpisë Perandorake që prej vitit 1949, si edhe reforma më e rëndësishme e sistemit perandorak japonez në dekada.
Qeveria dhe politikanët konservatorë vijojnë të mbrojnë parimin e trashëgimisë përmes linjës mashkullore. Ndërkohë, shumica e qytetarëve japonezë mbështesin ndryshimin e kësaj rregulle: sondazhet e fundit tregojnë se më shumë se 70% janë në favor të një perandoreshe femër, ndërsa një anketë tjetër e çon këtë mbështetje në 83%.
