Një i ri 19-vjeçar nga zona e Pavias është vënë në pranga në Itali, pasi policia zbuloi në shtëpinë e tij armë zjarri, simbole naziste dhe materiale propagandistike neonaziste.
Të lidhura
None found
Ai dyshohet se kishte lidhje me grupe radikale skinhead dhe po hetohet për propagandë e nxitje të veprave penale të motivuara nga diskriminimi racor, etnik dhe fetar.
Rasti u vu në hetim pas shqyrtimit të komunikimeve në grupin WhatsApp “2B”. Aty, sipas hetuesve, ishin shpërndarë mesazhe raciste, përmbajtje ekstremiste të së djathtës dhe referenca për dhunë.
Dokumentet hetimore përmendin edhe referenca ndaj Adolf Hitlerit dhe kampeve naziste të shfarosjes. Në një mesazh për një person transgjinor, 19-vjeçari dyshohet se kishte shkruar se kishte edhe më shumë arsye për ta masakruar.
Në profilin e rrjeteve sociale që i atribuohet të riut janë gjetur publikime me simbole naziste e fashiste, si dhe fotografi ku shfaqen armë zjarri.
Kontrolli në banesë u krye nga policia Digos e Milanos, e ndihmuar nga efektivë të Pavias. Gjatë operacionit u sekuestruan armë dhe sende të tjera të lidhura me ideologjinë naziste.
Sekuestrimi përfshinte dy pistoleta, një pushkë automatike, shpata, thika, kamë dhe armë të tjera të ftohta. U gjetën gjithashtu flamuj me svastika e simbole të njësive SS, si dhe materiale propagandistike, riprodhime dhe manuale kushtuar Adolf Hitlerit e Benito Musolinit.
Hetimi lidhet me një çështje të mëparshme, e cila më 22 prill çoi në arrestimin e një personi tjetër nga zona e Pavias. Ai dyshohet se administronte grupin online “Terza Posizione”.
Nën koordinimin e prokurorit Alessandro Gobbis, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë veprimtarinë e personave të përfshirë dhe nëse mes tyre ka lidhje.
Me urdhër të Prokurorisë së Pavias, i arrestuari u dërgua në burgun e Vogherës. Ai do të qëndrojë aty në pritje të vleftësimit të arrestimit nga autoritetet gjyqësore.







