Një burrë 47 vjeç, me origjinë nga Moldavia, ka përfunduar në pranga në Ivrea të Torinos, Itali, nën dyshimin për tentativë vrasjeje, pasi akuzohet se u përpoq t’i vinte flakën bashkëjetueses së tij gjatë një sherri në banesë.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua në zonën e San Bernardos. Sipas autoriteteve italiane, 47-vjeçari, i cili ishte në gjendje të rënduar psikofizike për shkak të konsumit të alkoolit, gjatë përplasjes së ashpër e lagu gruan me naftë me synimin për t’i vënë zjarrin.
Një mik i çiftit, që ndodhej në shtëpi në atë moment, ndërhyri menjëherë dhe shmangu tragjedinë. Ai u fut mes të dyve dhe arriti t’i bllokonte krahun agresorit, duke mos e lejuar të ndizte çakmakun deri sa mbërritën karabinierët.
Në të njëjtën kohë, viktima kishte lajmëruar vetë forcat e rendit, të cilat shkuan pa vonesë në vendngjarje. Karabinierët e neutralizuan 47-vjeçarin dhe i sekuestruan çakmakun, duke penguar kështu një ngjarje me pasoja tragjike.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk u shënuan të lënduar. Me urdhër të Prokurorisë së Ivreas, që po drejton hetimet, i arrestuari u dërgua në institucionin e paraburgimit, ku do të qëndrojë në dispozicion të drejtësisë.
