Sipas një analize të re, administratat publike në vendet e Ballkanit Perëndimor po i përdorin gjithnjë e më shpesh mjetet e inteligjencës artificiale, megjithëse ky zhvillim nuk mbështetet ende nga një kuadër i plotë ligjor që ta rregullojë.
Të lidhura
None found
Radio Europa e Lirë shkruan se në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi nuk ka ligje të veçanta për përdorimin e chatbote-eve dhe sistemeve të tjera të AI. Në shumicën e rasteve mungojnë edhe rregullat e brendshme, si dhe dokumentimi i qartë mbi mënyrën se si këto teknologji po përdoren, ndërkohë që shtrirja e tyre tashmë është reale dhe masive.
Rajoni ndodhet në nivele të ndryshme të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian, i cili ka miratuar Aktin për Inteligjencën Artificiale (AI Act), ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për këtë sektor. Ky akt parashikon ndalimin e disa formave të përdorimit dhe vendos rregulla të forta për sigurinë, transparencën dhe mbrojtjen e të dhënave.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, disa institucione e lejojnë përdorimin e kufizuar të AI-it vetëm për detyra teknike, por ndalojnë vendosjen e të dhënave personale ose sekrete në platformat publike.
Në Kosovë, përdorimi zyrtar mbetet ende i kufizuar, por janë në testim disa zgjidhje digjitale dhe po zhvillohet puna për harmonizim me rregullat e BE-së. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Serbia paraqiten më të avancuara në zbatimin praktik të IA-së në shërbimet publike, duke përfshirë chatbotë në administratën tatimore dhe në portale qeveritare, teksa njëkohësisht po përgatisin edhe korniza të reja ligjore.
Ekspertët vënë në dukje se mungesa e rregullave rrit rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave personale dhe cenimit të sigurisë së informacionit.
Sipas tyre, AI mund të shërbejë për ta përshpejtuar punën, por përgjegjësia përfundimtare mbetet gjithmonë te njeriu që e përdor.
