IDF publikon hartën e kontrollit në jug të Libanit, paralajmërohet krijimi i “zonës së sigurisë”

Ushtria izraelite IDF ka publikuar për herë të parë një hartë që tregon linjën e re të dislokimit të forcave të saj në jug të Libanit, duke marrë nën kontroll disa fshatra të braktisur pranë kufirit.

Sipas hartës së publikuar, zona e kontrollit shtrihet rreth 5 deri në 10 kilometra brenda territorit libanez, ku Izraeli ka deklaruar se synon krijimin e një të ashtuquajture “zonë sigurie”.

Të lidhura

None found

Ky zhvillim vjen pak ditë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi mes Izraelit dhe grupit Hezbollah, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Nga pala libaneze dhe nga Hezbollah nuk ka pasur ende reagim zyrtar lidhur me publikimin e hartës.

Sipas ushtrisë izraelite, në këtë zonë po veprojnë pesë divizione ushtarake së bashku me forcat detare, me qëllim shkatërrimin e infrastrukturës së Hezbollahut dhe parandalimin e sulmeve ndaj zonave veriore të Izraelit.

Në deklaratën zyrtare thuhet gjithashtu se strukturat që përdoren nga Hezbollah dhe objektet që konsiderohen kërcënim për trupat izraelite do të shkatërrohen.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se çdo ndërtesë e përdorur nga Hezbollah pranë kufirit do të shembet, ndërsa rrugët apo objektet e dyshuara për vendosje eksplozivësh do të asgjësohen menjëherë.

Ndërkohë, ushtria izraelite nuk ka komentuar nëse banorët e zhvendosur nga zonat e konfliktit do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.

Situata në kufirin Izrael–Liban mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit rrisin shqetësimet për një zgjerim të mundshëm të zonave të kontrollit ushtarak në terren.


Shtuar 19.04.2026 23:42

Tags: