Ligji që synonte t’u ndalonte personave nën 15 vjeç përdorimin e rrjeteve sociale është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese e Francës. Sipas saj, masat e parashikuara cenonin në mënyrë disproporcionale lirinë e shprehjes dhe të drejtën e privatësisë.
Të lidhura
None found
Ky vendim konsiderohet një goditje për përpjekjen e Presidentit Emmanuel Macron për të ashpërsuar kufizimet mbi përdorimin e mediave sociale nga fëmijët.
Parlamenti francez e miratoi ligjin në korrik, ndërsa zbatimi i tij parashikohej të niste në shtator. Personave nën 15 vjeç do t’u ndalohej hapja e llogarive në platformat sociale, kurse kompanitë do të duhej të mbyllnin profilet ekzistuese të të miturve dhe të vendosnin mekanizma për verifikimin e moshës.
Në vlerësimin e tij, Këshilli Kushtetues francez konstatoi se legjislacioni nuk përcaktonte me qartësi kushtet dhe kufijtë e procedurave që do të përdoreshin për kontrollin e moshës së përdoruesve.
Gjykata argumentoi se dispozitat nuk përmbanin garanci të mjaftueshme për ruajtjen e jetës private, ndërsa ndërhyrja në lirinë e shprehjes dhe të komunikimit ishte e tepruar.
Pas këtij zhvillimi, Emmanuel Macron i kërkoi kryeministrit Sébastien Lecornu të rishikojë tekstin ligjor, me synimin për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara nga Këshilli Kushtetues.
Pallati Élysée njoftoi se Presidenti Macron vazhdon të jetë i vendosur që një reformë e re të nisë zbatimin përpara pranverës së vitit 2027.
Diskutimet rreth kufizimit të aksesit të të miturve në rrjetet sociale janë shtuar në shumë shtete, sidomos pasi Australia vendosi t’ua ndalojë platformat kryesore personave nën 16 vjeç.
Përveç kufizimeve të Australisë ndaj platformave kryesore, edhe Indonezia dhe Malajzia kanë marrë masa që prekin përdoruesit nën 16 vjeç në platforma të caktuara.
Mbretëria e Bashkuar po analizon gjithashtu mundësinë e vendosjes së kufizimeve për të miturit nën 16 vjeç. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa më të rrepta për t’i mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet dhe veçoritë e dëmshme të mediave sociale.
