Frikë nga konflikti i hapur? Irani nuk përfshihet në tensionet me Huthit

Mes tensioneve të krijuara në Detin e Kuq, ku Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe po tentojnë bllokimin e sulmeve të rebelëve Huthi të Jemenit, pyetja që shtrohet tani thotë REL, është sa larg është e vendosur të shkojë secila palë pa e përfshirë Teheranin në një konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme.

Irani është mbrojtës i rebelëve dhe financues i tyre, por ndonëse mbështetja e saj dhe armatimi klandestin vazhdojnë, hapur republikam islamike nuk e pranon ndihmën për Huthit. Paralajmërimeve të SHBA-së se nuk do të hezitojnë të mbrojnë jetët e njerëzve dhe lëvizjen e lirë në një prej rrugëve kryesore në botë, teksa kryhen këto sulme, rebelët iu përgjigjën me zotimin të vazhdojnë luftën kundër atij që e përshkruajnë si “genocid” të Izraelit ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës.

Përplasja e radhës u regjistrua vetëm dy ditë më parë, kur Huthit lëshuan raketa balistike kundër disa anijeve ushtarake amerikane, të cilat mbrojnë anijet tregtare amerikane që kalojnë Ngushticën Bab al-Mandab në gjirin e Jemenit. Komanda Qendrore e SHBA-së, njoftoi se nga tre raketat e nisura prej kryengritësve, dy u rrëzuan nga sistemet ajrore amerikane, derisa e treta ra në Gjirin e Adenit. Irani sakaq i ka shpërfaqur kapacitetet e veta të avancuara raketore, si një lloj paralajmërimi për forcën që mund të ketë, në rast të ndonjë konflikti më të gjerë në Lindje të Mesme.

Washingtoni dhe Londra duket se janë të fokusuar tani edhe në nisjen e sulmeve precize në infrastrukturën ushtarake të Huthive, por duke shmangur një operacion më të madh, i cili mund të rezultonte me viktima dhe rritje të tensioneve me Iranin.