Vetëvrasja e oficerit Arben Pjeci, kolegët me lot në sy: Ishte me sedër të madhe, shumë i ndershëm

Të afërmit dhe kolegë të policit të vetëvrarë në Durrës, nuk ishin në dijeni për ndonjë shqetësim të 57-vjeçarit. Mes dhimbjes dhe lotëve, ata shprehen të tronditur për ngjarjen.

“Më bënte përshtypje se ishte shumë shumë i ndershëm, jashtë mase!”.

“U çuditëm mbrëmë, por ka pas sedër të madhe”.

“I dashur e serioz. Na ka ardhur keq!”.

Arben Pjeci, u gjet i vetëvrarë me armën e punës brenda zyrës së tij në policinë e Durrësit.

Ai ishte specialist krimesh në këtë komisariat, ndërsa sipas uniformave blu, e ka qëlluar veten me një plumb në pjesën e kraharorit.

57-vjeçari ishte mbyllur në zyrë, ndërsa kolegë të tij deklaruan se nuk kishin dëgjuar të shtëna.

Dyshohet se Pjeci, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike në momentin që ka kryer aktin e rëndë.

Mësohet se për 57-vjeçarin, ishte marrë vendim për pezullimin e tij nga detyra dhe ai është vetëvrarë pikërisht në ditën që ky vendim do të ekzekutohej.

Polici ishte shpallur fajtor nga gjykata e Durrësit, për një plagosje të ndodhur dy vite më parë dhe dënimi ishte konvertuar në punë në komunitet.

Arben Pjeci, kishte një karrierë 35 vjeçare në radhët e policisë.


Shtuar 26.01.2024 14:22