Ekrem Imamoglu, ish-kryebashkiaku i Stambollit që ndodhet në burg dhe një ndër kundërshtarët më të fortë politikë të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ka pësuar një tjetër goditje në përballjen e tij ligjore dhe politike.
Një prej gjykatave më të larta në Turqi ka konfirmuar anulimin e diplomës universitare të tij, çka i heq mundësinë që të garojë për president në zgjedhjet e ardhshme.
Të lidhura
None found
Këshilli i Shtetit Turk njoftoi të mërkurën se kishte lënë në fuqi vendimin për heqjen e diplomës që Imamoglu e kishte marrë në vitin 1994, për shkak të parregullsive të evidentuara në procesin e tij akademik.

Me këtë vendim mbyllen rrugët e zakonshme të ankimit, por mbrojtja e ish-kryebashkiakut ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar atë.
Çështja ka peshë të madhe politike, pasi Kushtetuta e Turqisë kërkon që çdo kandidat për president të ketë mbaruar arsimin e lartë. Për rrjedhojë, derisa diploma e Imamoglut të mbetet e anuluar, ai nuk mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale.
Rasti ka të bëjë me parregullsi të dyshuara gjatë transferimit të tij në një universitet në Stamboll. Imamoglu i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se vendimi për anulimin e diplomës është i nxitur politikisht.
Imamoglu denoncon ndërhyrjet gjyqësore
Ish-kryebashkiaku nuk dha menjëherë ndonjë reagim pas shpalljes së vendimit. Megjithatë, javën e kaluar, pasi një gazetë proqeveritare publikoi rezultatin e çështjes para se avokatët e tij të merrnin njoftim zyrtar, ai i quajti veprimet e autoriteteve “operacione të paligjshme gjyqësore”.
Imamoglu gjendet në paraburgim që nga marsi i vitit 2025 dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon. Sipas raportimeve, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, dënimi i tij mund të kalojë 2 mijë vjet burg.
Nga ana tjetër, qeveria e Erdoganit ka mohuar vazhdimisht se ka ndërhyrë politikisht në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se gjykatat veprojnë në mënyrë të pavarur.
Skandali prej 20 miliardë dollarësh trondit partinë e Erdoganit
Teksa opozita turke përballet me procese të shumta gjyqësore, partia në pushtet e Erdoganit po përballet me një krizë të tregut të aksioneve, e njohur si skandali “Fonzi”.
Në qendër të kësaj çështjeje janë fonde investimi me vlerë totale rreth 20 miliardë dollarë, që prekin afro gjysmë milioni investitorë.
Kriza shpërtheu në mes të shtatorit, kur disa fonde të mëdha investimi deklaruan se nuk mund të plotësonin kërkesat e investitorëve për tërheqje parash. Më pas, rregullatorët urdhëruan likuidimin e 131 fondeve të investimit dhe autoritetet hapën një hetim penal për tregti të mundshme të paligjshme dhe manipulim tregu.
Mbi 100 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve, përfshirë zyrtarë të lartë, rregullatorë dhe politikanë. Skandali ka sjellë trazira në bursën turke, ndërsa qindra mijëra investitorë po përpiqen të rikuperojnë paratë e tyre.
Dorëhiqet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Erdoganit
Hayati Yazici, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe miqtë e vjetër të presidentit turk, është në qendër të zhvillimeve politike.
Yazici, i cili e njeh Erdoganin prej më shumë se 30 vitesh, dha dorëheqjen të martën nga posti i nënkryetarit të partisë në pushtet AKP, pasi djali i tij u përfshi në skandalin financiar.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai u shpreh se nuk kishte qenë asnjëherë i përfshirë në ndonjë aktivitet të dyshimtë dhe mbrojti gjithashtu të birin, duke thënë se ai është i pafajshëm. Vetë Yazici nuk përballet me akuza për shkelje.
Ish-ministrja dyshohet se përfitoi 40 milionë dollarë nga investimet
Edhe ish-ministrja dhe zyrtarja e AKP-së, Fatma Betul Sayan Kaya, është ndër emrat e përfshirë në hetim.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Financial Times”, Kaya dyshohet se ka përfituar rreth 40 milionë dollarë nga investimet në fondet e lidhura me skandalin.
Ajo i ka mohuar akuzat dhe u arrestua nën dyshimin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Pas 19 ditësh në burg, ajo u lirua të martën dhe u vendos në arrest shtëpie.
Lirimi i saj shkaktoi reagime nga opozita. Oya Tekin, kryetarja e një bashkie të drejtuar nga opozita, e cila ndodhet në burg prej afro 18 muajsh dhe ka apeluar një dënim për ryshfet, reagoi duke thënë: “Dua të njëjtën drejtësi që u zbatua në rastin e Kaya-s”.
Rënia e mbështetjes për Erdoganin dhe inflacioni pranë 30%
Skandali financiar vjen në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes për partinë në pushtet. Sipas të dhënave të cituara nga “Financial Times”, AKP ka humbur më shumë se katër pikë përqindjeje që nga shtatori, kur shpërtheu kriza, ndërsa niveli i mbështetjes ka rënë nga shifrat pranë 33%.
Berk Esen, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Sabanci të Stambollit, e lidh presionin gjyqësor ndaj opozitës me rënien e mbështetjes elektorale për Erdoganin.
“Sulmet e pandërprera gjyqësore ndaj opozitës janë për shkak të rënies së mbështetjes së votuesve për Erdoganin, dhe skandali Fonzi e ka përkeqësuar më tej situatën”, u shpreh ai.
Sipas Esen, synimi i qeverisë është dobësimi i opozitës, në mënyrë që ajo të mos përbëjë më një sfidë të fortë në zgjedhje.








