Rishi Sunak ka dhënë një paralajmërim të frikshëm duke thënë se Vladimir Putini nuk do të ndalet në kufirin me Poloninë nëse despoti mund të mposht Ukrainën në luftë.
Dhe ndërsa Perëndimi po shkon drejt një përballjeje bërthamore, shkruan The Sun, varka me armë, raketa vdekjeprurëse dhe automjete të blinduara do të dërgohen për të zmbrapsur Vladin – përmes këstit më të madh të ndihmës ushtarake të Britanisë për Ukrainën.
Kryeministri do të shpallë sot paketën prej 500 milionë funtesh për përpjekjet luftarake të presidentit Volodymyr Zelensky.
Financimi i menjëhershëm është të mbështesë “aftësitë me prioritet më të lartë”, ka thënë një zëdhënës i Downing Street.
Duke përfshirë municione të tjera, mbrojtjen ajrore dhe dronët, rritja e parave do ta çojë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kievin në 3 miliardë funte këtë vit financiar.
Sunak thuhet se më pas do të shkojë në Poloni dhe Gjermani për bisedime urgjente për sigurinë, ku do të paralajmërojë se Rusia do të pushtojë NATO-n nëse nuk ndalet.
Kryeministri britanik gjithashtu planifikon të diskutojë luftën në Ukrainë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai më vonë do të takohet me kryeministrin polak Donald Tusk në Varshavë.
Përpara udhëtimit të tij dy-ditor, Rishi Sunak tha mbrëmë: “Mbrojtja e Ukrainës kundër ambicieve brutale të Rusisë është jetike për sigurinë tonë dhe për të gjithë Evropën”.
“Nëse Putini lejohet të ketë sukses në këtë luftë agresioni, ai nuk do të ndalet në kufirin polak”.
Zoti Sunak ka qenë nën presion për të rritur në mënyrë dramatike buxhetin e mbrojtjes së Britanisë në 2.5 për qind të PBB-së.
Dhe ndërkohë është raportuar se Britania e Madhe do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2.5% të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2030.
Ky lajm, siç raportojnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, pritet të bëhet i ditur nga kryeministri në atë që po vlerësohet si një forcim i politikës ushtarake në një kohë kërcënimesh në rritje.
Rritja e pritshme është më pak ambicioze sesa disa thonë se është e nevojshme – por do të thotë dhjetëra miliarda funte shtesë për forcat e armatosura gjatë gjashtë viteve të ardhshme.