Gra që pretendojnë se janë përdhunuar ose trafikuar nga Daniel Siad, rekrutuesi franko-suedez i modeleve dhe bashkëpunëtori i financierit Jeffrey Epstein, kanë ngritur akuza ndaj autoriteteve franceze për mënyrën se si e trajtuan hetimin.
Të lidhura
None found
Siad, 69 vjeç, u gjet i pajetë muajin e kaluar në apartamentin e tij në Colombes, pranë Parisit. Në atë kohë, ndaj tij kishte akuza të shumta për përdhunim dhe trafikim njerëzor.

Ebba Karlsson, ish-modele suedeze dhe një prej grave që e ka denoncuar, tha se kishte kallëzuar Siadin për përdhunim dhe trafikim njerëzor, por policia nuk e mori asnjëherë në pyetje.
“Për muaj të tërë na përsërisnin se do të arrestohej, por kjo nuk ndodhi kurrë. Tani nuk do të marrim më përgjigje për atë që na ndodhi”, u shpreh Karlsson.
Ajo tregon se e njohu Siadin në Stokholm në vitin 1990. Sipas rrëfimit të saj, ai u prezantua si agjent mode dhe i premtoi një fotosesion në Monako.

Karlsson pretendon se oferta ishte e sajuar. Në vend që ta çonte në Monako për punë, Siad e dërgoi në një vilë pranë Kanës, ku, sipas saj, e përdhunoi. Më pas ai e transportoi drejt Parisit, prej nga ajo mundi të largohej.
Ish-modelja shpjegon se nuk e denoncoi për vite me radhë, pasi e njihte vetëm me identitetin e rremë “Daniel Goldberg”. Emrin e tij të vërtetë e zbuloi vetëm pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri publike miliona dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein.
Në këto dokumente, emri i Daniel Siad figuron në më shumë se 2 mijë dosje të lidhura me Epstein. Sipas materialeve, ai gjente vajza të reja në vende të ndryshme të Europës dhe ia dërgonte të dhënat Epstein, përfshirë fotografi dhe informacione personale, përmes emailit.

Epstein, në këmbim, transferonte para në llogarinë bankare të Siadit dhe paguante shpenzimet e udhëtimeve të tij në Poloni, Sllovaki, Hungari dhe Republikën Çeke.
Gra të tjera kanë deklaruar se Siad i joshi drejt Nju Jorkut, duke u premtuar kontrata në industrinë e modelingut. Një modele franceze rrëfeu se, pas mbërritjes në SHBA, u dërgua në apartamentin e Jeffrey Epstein. Aty, sipas saj, ai i mori pasaportën dhe i kërkoi të zhvishej, me pretendimin se po vlerësonte trupin e saj për agjenci modelingu. Ajo arriti të largohej pasi mori sërish dokumentet.

Një tjetër grua tha se Siad e kishte njohur me Epstein në Paris në vitin 2013. Sipas dëshmisë së saj, ajo u përball me abuzime seksuale për gjashtë vite dhe udhëtoi me të edhe në ishullin privat të Epstein.
Avokatët që përfaqësojnë gratë po përgatisin një padi civile ndaj shtetit francez. Ata pretendojnë se autoritetet nuk ndërmorën veprime, pavarësisht denoncimeve dhe provave të shumta.

Sipas avokatëve, fakti që Siad nuk u mor në pyetje dëmtoi hetimin dhe bëri që të mos mblidheshin informacione të rëndësishme për funksionimin e rrjetit të trafikimit.
Prokuroria franceze ka deklaruar se hetimet për rrjetin francez të Jeffrey Epstein do të vijojnë, edhe pse procedimi penal ndaj Daniel Siad u mbyll pas vdekjes së tij.

Gratë që e akuzojnë Siadin thonë se drejtësia nuk është bërë. “Disa gra e akuzonin për përdhunim, por ai nuk u mor kurrë në pyetje. Ndihemi të tradhtuara”, deklaroi Karlsson.
