Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë janë lënduar si rezultat i një serie goditjesh ruse në Ukrainë, ku episodi më vdekjeprurës u shënua nga raketa balistike që goditi një panair të teknologjisë së dronëve në afërsi të kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimeve zyrtare ukrainase, 10 viktima u regjistruan në këtë sulm pranë Kievit, ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të vrarë nga bombardimet që goditën qytetin lindor të Slovianskut.
Presidenti Volodymyr Zelensky bëri të ditur se aktiviteti kishte mbledhur figura kyçe të sektorit të mbrojtjes dhe se rreth 100 individë pësuan plagosje. Ai shtoi se është hapur një hetim për të zbardhur rrethanat e zhvillimit të ekspozitës dhe masat e sigurisë të zbatuara.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, shpjegoi se goditja u ekzekutua me tre raketa balistike, prej të cilave sistemi i mbrojtjes ajrore arriti të neutralizonte vetëm njërën.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes e pranoi sulmin, duke theksuar se kishte përdorur armatim me precizion të lartë dhe rreze të gjatë për të goditur një vend ku, sipas pretendimeve të saj, po shfaqeshin teknologji dronësh të përdorura për sulme ndaj objektivave civile në Rusi.

Moska pohoi se në aktivitet morën pjesë prodhues dronësh, anëtarë të forcave ukrainase të dronëve dhe zyrtarë të shërbimeve të sigurisë të implikuar në planifikimin e sulmeve kundër territorit rus.
Ndërkohë, bombardimet ruse me bomba rrëshqitëse në Sloviansk shkaktuan pesë të vdekur, dhe dy burra të tjerë humbën jetën në qytetin verior të Sumyt, sipas autoriteteve ushtarake ukrainase.

Pas goditjes pranë Kievit, pati shqetësime për fatin e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Serhiy Beskrestnov, i njohur me pseudonimin “Flash”, dhe të Lyuba Shypovych, e cila është e përfshirë në zhvillimin e teknologjisë ushtarake. Të dy konfirmuan më pas në rrjetet sociale se nuk ishin dëmtuar, ndërsa Beskrestnov zbuloi se kishte zgjedhur të mos merrte pjesë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
