Franca ka regjistruar një rritje me mbi 5,700 vdekje krahasuar me mesataren e pritshme gjatë valës së të nxehtit në qershor, duke shënuar kështu bilancin më të rëndë që prej katastrofës së vitit 2003.
Të lidhura
None found
Të dhënat e para janë bërë të ditura nga agjencia shëndetësore franceze, Santé publique France.
Raporti zbulon se midis 17 qershorit dhe 2 korrikut u numëruan 5,764 fatalitete mbi normën e zakonshme, ku gati gjysma e tyre u përqendruan në një hark kohor tepër të shkurtër, pikërisht në datat 25-27 qershor. Zyrtarët sqarojnë se këto shifra përfshijnë vdekje nga çdo shkak dhe nuk mund të lidhen ende në mënyrë përfundimtare vetëm me temperaturat e larta, edhe pse pesha e kësaj vale të nxehti vlerësohet si tejet e madhe.
Mbi vdekshmërinë e parashikuar është vërejtur në të gjitha kategoritë mbi moshën 15 vjeç, me pasojat më të rënda te personat mbi 45 vjeç. Nga totali i vdekjeve shtesë, 3,719 u takojnë qytetarëve të moshës 75 vjeç e lart, çka rikonfirmon se të moshuarit përbëjnë shtresën më të cenuar. Po ashtu, në grupin 45-64 vjeç u shënuan 979 fatalitete më shumë, një rritje prej 55% mbi pritshmëritë normale.
Institucionet raportojnë se 98.5% e popullatës franceze u godit nga temperaturat ekstreme, teksa vala e të nxehtit mbuloi 92 njësi administrative. Situata më kritike u përjetua në rajonin e Parisit (Île-de-France), ku u dokumentuan 1,999 vdekje shtesë, një shifër pothuajse sa dyfishi i pritshmërive.
Këto shifra fillestare kanë ndezi debatin politik në Francë, me opozitën që fajëson qeverinë për papërgatitje ndaj sfidave të temperaturave ekstreme. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shëndetësisë nënvizojnë se vala e të nxehtit e sivjetme ishte atipike për shkak të nisjes së hershme, kohëzgjatjes dhe përhapjes thuajse në gjithë territorin francez.
Specialistët paralajmërojnë se qëndrimi i zgjatur nën temperatura kaq të larta shton në mënyrë të konsiderueshme rrezikun për grupet më të brishta, si pleqtë, të vegjlit dhe individët me sëmundje kronike.
