Autoritetet gjermane e kanë bërë Rusinë përgjegjëse për një sulm hibrid të dyshuar ndaj aeroportit Leipzig/Halle, ku në fillim të gushtit u gjetën disa dronë të mbushur me eksploziv.
Të lidhura
None found
Sipas ministrit të Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, hetimet kanë çuar në përfundimin se pas incidentit qëndron Moska. Për këtë arsye, Berlini paralajmëroi vendosjen e masave ndëshkuese, por presidenti rus Vladimir Putin i konsideroi ato një gabim të rëndë.
“Sipas mendimit tim, kjo bie qartazi ndesh me interesat e popullit gjerman. Mendoj se reagimi i qeverisë gjermane lidhet me fushatat zgjedhore që po afrohen”, deklaroi Putin.
Dobrindt u mbështet te hetimet e policisë, mënyra e realizimit të sulmit dhe informacionet e shërbimeve të inteligjencës, të cilat, sipas tij, e provojnë qartë përfshirjen ruse. Pas përpjekjes për një sulm me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle, qëndrimi zyrtar i Berlinit ndaj Moskës u ashpërsua: Konsullata e Përgjithshme e Rusisë në Bon pritet të mbyllet, ndërsa kontrollet për hyrjen në Gjermani do të shtrëngohen.
Rëndësia e aeroportit Leipzig/Halle lidhet me rolin e tij si qendër logjistike për transportin e mallrave dhe zhvillimin e operacioneve ushtarake. Objekti përdoret gjithashtu nga NATO dhe kompania ukrainase Antonov Airlines për dërgimin e furnizimeve ushtarake.
Edhe kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se përfshirja e Rusisë në incident ishte e qartë. Ajo paralajmëroi se Moska po bëhet gjithnjë e më provokuese, çka rrit shqetësimet për një përshkallëzim të ri të tensioneve në Europë.
