BE kërkon armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

Ministrat e Jashtëm të BE bënë sot thirrje për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. Bashkimi Evropian deklaroi se do të ofrojë ndihmë humanitare dhe do të përpiqet të rifillojë procesin e paqes.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias udhëtoi sot për në Rripin e Gazës dhe Izrael si pjesë e iniciativës për të gjetur një zgjidhje paqësore.

Ministri i Jashtëm maltez Evarist Bartolo i tha Reuters se ishte e rëndësishme që Presidenti i SHBA Joe Biden të ishte i hapur për të gjetur një zgjidhje për Lindjen e Mesme sepse “nëse nuk adresojmë shkaqet, (dhuna) do të ndodhë përsëri”.

“Unë nuk mendoj se jam tepër optimist kur them se ajo që ka të ngjarë të dalë sot është një thirrje për një armëpushim” shtoi ai.

“Sapo të arrihet armëpushimi, BE do të duhet të punojë me SHBA, të punojë me Rusinë, të përpiqet për zgjidhjen e situatës” tha më tej Bartolo.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bëri thirrje për de-përshkallëzim dhe kthimin e qetësisë në rajon.


Shtuar 18.05.2021 18:57

Tags: ,