Australi është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një grua 32-vjeçare akuzohet se i ka marrë jetën djalit të saj 4-vjeçar dhe dyshohet se ka konsumuar pjesë nga trupi i tij.
Sipas dokumenteve të gjykatës, autoritetet dyshojnë se krimi ka ndodhur më 4 korrik, në intervalin kohor mes orës 16:00 dhe 17:00. Gruaja është vënë në pranga dhe përballet me akuzën e vrasjes. Kërkesa e saj për lirim me kusht është hedhur poshtë, ndërsa çështja do të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Magjistraturës në Wyong më 1 shtator. Ndërkohë, hetuesit po vazhdojnë punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Të lidhura
None found
Rasti është nën hetim nga autoritetet australiane dhe ka ngritur pikëpyetje të forta për rolin e shërbimeve sociale, të cilat kishin pasur kontakte me familjen edhe përpara tragjedisë.
Mediat australiane raportojnë se të shtunën 32-vjeçarja u paraqit në një komisariat policie në Wyong, në rajonin Central Coast të shtetit New South Wales, ku dyshohet se u ka thënë efektivëve se kishte konsumuar pjesë të trupit të fëmijës së saj.
Pas kësaj deklarate, policia u nis drejt apartamentit ku jetonin nëna dhe i biri, ku zbuloi trupin e pajetë të 4-vjeçarit me plagë të rënda në duar. Nga hetimet paraprake rezulton se fëmija kishte vdekur disa ditë para se autoritetet të viheshin në dijeni.
Familja ishte vendosur në atë zonë rreth pesë muaj më parë, me qëllim që t’i largohej një situate të dhunës në familje. Pavarësisht kësaj, shërbimet sociale të New South Wales e kishin ndjekur rastin prej të paktën një viti, për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen mendore të nënës dhe dyshimeve për përdorim të substancave narkotike.
Ndërhyrja më e fundit nga autoritetet sociale kishte ndodhur në janar, kur u bë një vlerësim për të kuptuar nëse fëmija ishte në rrezik serioz neglizhence. Sipas raportimeve, nuk u konstatuan prova të mjaftueshme për të arsyetuar largimin e tij nga kujdestaria e nënës, ndaj ai vazhdoi të jetonte me të deri në ditën kur humbi jetën.
Sipas mediave australiane, shqetësimet për këtë familje ishin ngritur që në fillim të vitit 2024, pasi një i afërm kishte njoftuar autoritetet për gjendjen e fëmijës. Në atë periudhë, u raportuan dyshime për përdorim substancash dhe episode psikotike të nënës, e cila më pas u referua në një program të ndërhyrjes së hershme.
Po ashtu, 32-vjeçarja kishte qenë edhe më herët e përfshirë në përplasje familjare dhe ndaj saj ishin lëshuar urdhra kufizues.
Kjo ngjarje ka tronditur thellë komunitetin lokal. Në Wyong, rreth 40 banorë u mblodhën për të nderuar kujtimin e 4-vjeçarit, duke lënë lule, lodra dhe tullumbace pranë vendbanimit të tij.
Një nënë, djali i së cilës kishte luajtur me viktimën gjatë një feste ditëlindjeje, u shpreh për mediat se fëmija dukej i lumtur dhe plot energji, ndërsa nënën e përshkroi si të qetë dhe të sjellshme.
“Nuk kishte asgjë që të linte të kuptoje se diçka e tillë mund të ndodhte. Kjo tregon se nuk e di kurrë çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura”, tha ajo.
