Pas tërmeteve shkatërruese të 24 qershorit në Venezuelë, një mision shkencor grek që vizitoi vendin ka zbuluar disa dukuri sizmike të pazakonshme, të cilat specialistët thonë se nuk janë dokumentuar më parë në historinë moderne të sizmologjisë.
Vlerësimet janë paraqitur nga Efthimis Lekkas, profesor emeritus i Dinamikës, Tektonikës dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, si edhe president i Organizatës Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP). Në këtë mision ishte i përfshirë edhe Panagiotis Karydis, profesor emeritus i Teknologjisë së Tërmeteve.
Të lidhura
None found
Qëllimi i misionit ishte të jepte mbështetje shkencore, teknike, operacionale dhe humanitare në zonat që u prekën nga katastrofa sizmike.
Më 24 qershor, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), Venezuelën e goditën dy tërmete shumë të forta me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter. Nga këto lëkundje u shkaktuan mijëra viktima dhe të plagosur, dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë, si edhe pasoja të rënda në planin ekonomik dhe social.
Një prej elementeve më të rralla të evidentuara nga specialistët grekë ishte fakti që dy tërmetet ndodhën vetëm 39 sekonda larg njëri-tjetrit. Sipas Lekkas, një hendek kohor kaq i shkurtër mes dy goditjeve kaq të fuqishme nuk është regjistruar ndonjëherë më parë. Ai solli si shembull tërmetet binjake në Turqi në vitin 2023, të cilat ndodhën me një diferencë prej afërsisht gjashtë orësh.
Ekspertët vunë re gjithashtu se çarja gjeologjike e San Sebastianit, që u aktivizua gjatë kësaj ngjarjeje sizmike, ka një gjatësi minimale prej 300 kilometrash. Ajo shtrihet përgjatë bregdetit verior të Venezuelës dhe ndan pllakën tektonike të Amerikës së Jugut nga ajo e Karaibeve.
Studiuesit u surprizuan edhe nga fakti se zona pranë epiqendrës, ku përfshihen qytetet San Felipe, Morón dhe Valencia, nuk pësoi dëme të mëdha. Madje, edhe ndërtesat më të vjetra, të ngritura pa standarde bashkëkohore antisizmike, mbetën pothuajse të padëmtuara.
Në anën tjetër, goditja më e rëndë u konstatua rreth 200 kilometra larg epiqendrës, në zonën bregdetare të La Guaira, Catia La Mar, Caraballeda dhe pranë aeroportit. Pikërisht në këto zona u shembën qindra ndërtesa, ndërsa shumë struktura banimi dhe objekte shumëkatëshe pësuan dëmtime të rënda.
Në raportin e misionit thuhet se më të ekspozuara rezultuan ndërtesat e larta të ndërtuara mbi depozita të lirshme bregdetare dhe lumore. Kjo lidhet me rezonancën mes valëve sizmike me periudhë të gjatë dhe karakteristikave të terrenit. Sipas ekspertëve, situata u rëndua edhe më shumë sepse lëkundjet e tërmetit të dytë nisën përpara se të mbaronin ato të të parit, duke zgjatur ndjeshëm kohën e dridhjeve dhe duke rritur ndikimin shkatërrues mbi ndërtesat.
Në Karakas, ndërkaq, pasojat ishin dukshëm më të kufizuara. Përveç shembjes së rreth dhjetë ndërtesave të larta, pjesa dërrmuese e kryeqytetit nuk pati dëme serioze. Sipas ekspertëve, çarjet tektonike që kalojnë pranë Karakasit nuk u aktivizuan gjatë këtij episodi sizmik.
Raporti thekson po ashtu se në zonat malore dhe shkëmbore nuk pati shembje sistematike. Edhe lagjet me ndërtime informale dhe me cilësi të ulët ndërtimi regjistruan më pak dëme nga sa pritej, për shkak të karakteristikave të ndryshme gjeologjike të terrenit.
Të dhënat paraprake tregojnë se humbjet ekonomike nga kjo fatkeqësi natyrore pritet të arrijnë rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Venezuelës, çka e rendit atë mes fatkeqësive natyrore më të rënda që kanë goditur vendin në dekadat e fundit.
