Gjatë një vizite në Ksanthi, në krahinën e Trakës pranë kufirit me Turqinë, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dhendias, bëri të ditur se Greqia synon të rrisë ndjeshëm prodhimin e dronëve, duke arritur deri në 15 mijë mjete ajrore pa pilot në vit. Ky plan është pjesë e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përshtatjes së tyre me format e reja të zhvillimit të luftërave.
Të lidhura
None found
Dhendias inspektoi njësinë ushtarake ku prodhohen dronët dhe deklaroi se kapaciteti aktual i ushtrisë greke është rreth 5 mijë mjete të tilla në vit. Sipas tij, përfundimi i fabrikës së re 309, inaugurimi i së cilës pritet të bëhet në dhjetor, do ta trefishojë këtë kapacitet, duke e çuar në 15 mijë dronë në vit. Kjo shifër nuk përfshin prodhimin e kompanive private të industrisë greke të mbrojtjes.
Athina e konsideron këtë zhvillim një përparim të rëndësishëm në raport me fundin e vitit 2023. Në atë periudhë, Forcat e Armatosura greke kishin në dispozicion vetëm dy dronë të kategorisë HERON dhe 252 mjete fluturuese të prodhuara nga industria, të cilat nuk ishin veçanërisht konkurruese.
Ministri grek theksoi se përdorimi i dronëve nuk kufizohet më te vëzhgimi dhe zbulimi, pasi këto mjete mund të shërbejnë edhe për sulme. Paralelisht, sipas tij, duhet të forcohen kapacitetet për mbrojtjen nga dronët e një vendi që mund të përbëjë kërcënim për Greqinë, pa përmendur emrin e ndonjë shteti.
Ndërkohë, ushtria greke po punon për ndërtimin e 522 fortifikimeve të reja, që pritet të përfundojnë deri në vitin 2030.
